
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola nuk është i sigurt nëse Raheem Sterling do të jetë i gatshëm për super-përballjen mes skuadrës së tij, dhe Real Madrid, e vlefshme për UEFA Champions League.
Sulmuesi i përfaqësueses angleze pësoi një dëmtim në përballjen e “qytetarëve” me Tottenham dhe ndodhet momentalisht jashtë fushave të lojës.
Manchester City ende nuk ka specifikuar shkallën e dëmtimit të Sterling, ndërkohë që dhe Guardiola nuk ka dhënë garanci për rikthimin e tij në fushë ndaj madrilenëve.
Mungesa e Sterling e lë Guardiolën me shumë pak opsione në repartin ofensiv. Leroy Sane është ende në proces rikuperimi, megjithëse pas shumë kohësh është parë të stërvitet me skuadrën.
Trajneri spanjoll ka thënë:
“Ai (Leroy Sane) ka filluar të stërvitet me ne por nuk është ende në gatishmëri për të luajtur. Kur ke një dëmtim të tillë që të lë jashtë fushave për 6 muaj duhet kohë.
Nuk është thjesht çështje rikuperimi. Duhet të rifitosh ritmin, kohën dhe vetbesimin. E rëndësishme është që operacioni ishte perfekt dhe Sane do të kthehet më i fortë se më parë, por për momentin i duhet ende pak kohë.”
Pas përballjes me West Ham, Manchester City merr pushimet e dimrit, me ndeshjen e rradhës në datë 22 shkurt ndaj Leicester City. 4 ditë më vonë djemtë e Guardiolës do të luajnë shanset e tyre në mitikun “Santiago Bernabeu”.
Trajneri i “qytetarëve” ka shtuar:
“Sigurisht që dëmtimi i Sterling është një problem, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi pasur situata të ngjashme me dëmtimet e Ilkay Gundogan i cili qëndroi jashtë për 6 muaj , apo dhe Aymeric Laporte këtë sezon. Fatkeqësisht dëmtimet janë normale gjatë sezonit dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme.”
Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!
