Connect with us

Futboll

Flet Solskjaer: Rashford duhet t’i japë prioritet futbollit

Solskjaer

Nëse Rashford do të luajë me sukses për Manchester United, dhe në të njejtën kohë për kombëtaren angleze, prioriteti i tij duhet të jetë futbolli. Ky është mendimi i trajnerit të “Djajëve të Kuq”, Ole Gunnar Solskjaer.

Sulmuesi 23-vjeçar ka fituar lëvdata të mëdha, për punën e tij jashtë fushës së blertë, duke ndihmuar fëmijët në nevojë, por jo vetëm. Gjithsesi, aktivitetet e shumta të Rashford mund të jenë një shpërqëndrim nga futbolli. Këtu qëndron dhe shqetësimi i Solskjaer, i cili për herë të parë ka komentuar mbi këtë çështje:

“Ai është në moshën më të mirë për një futbollist, dhe ka një sfidë në duart e tij këtu tek Manchester United. Por në të njejtën kohë, ka dhe një sfidë tjetër, të përfaqësojë Anglinë. Marcus ka bërë disa gjëra të jashtëzakonshme dhe fantastike. Por mbase ai duhet të ketë përparësi futbollin në këtë çast.”

Rashford shumë shpejt do të regjistrojë 300 paraqitje me United. Përveç kësaj, ai është aktivizuar 46 herë me kombëtaren e “3 Luanëve”. Sulmuesi zhvilloi një ndeshje nën mesataren në finalen e Ligës së Evropës në maj, përpara se të dëmtohej. Talenti i United është ende në proces rikuperimi. Rashford gjithashtu i pati të limituara minutat në fushë, gjatë finaleve të Euro 2020.

Gjithsesi, Solskjaer nuk është  i shqetësuar. Norvegjezi kërkon vetëm të sigurohet që kur sulmuesi të kthehet në fushë, të japë përsëri më të mirën e tij. Ole shtoi:

“Marcus e di se ne duam shumë prej tij, por ne do t’i japim atij kohë që të kthehet në formën e tij më të mirë. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Ndërkohë, Solskjaer ka hedhur poshtë kritikat e Sir Alex Ferguson, për vendimin e tij për të lënë Cristiano Ronaldon jashtë formacionit titullar, në barazimin në shtëpi ndaj Everton më 2 tetor. Në një video të ngarkuar në mediat sociale, Ferguson i tha legjendës së UFC, Khabib Nurmagomedov, se trajnerët duhet të startojnë gjithmonë ndeshjen, me lojtarët e tyre më të fortë në fushë. 

Numri 1 i pankinës së United sqaroi:

“Unë jam mjaft i qetë për këtë gjë. Nuk është vërtet e drejtë për lojtarët dhe Sir Alex që diçka e tillë të transmetohet. Ne gjithmonë kemi opinione, dhe flasim me njerëzit në konfidencë. Unë i kam thënë gruas time shumë herë se nuk pajtohesha me të, por kjo nuk u bë asnjëherë titull në media, kur unë isha lojtar i United.”

Solskjaer gjithashtu shtoi:

“Unë jam i sigurt se Sir Alex e di se kjo nuk më shqetëson. Ne të gjithë duam ta shohim Cristianon në fushë, sepse ai është unik. Por fakti i qartë është se ai nuk mund të luajë në çdo ndeshje. Kjo është natyra fizike dhe natyra njerëzore.”

Mesa duket, pavarësisht natyrës këmbëngulëse dhe ambicioze të Cristiano Ronaldos, trajneri Solskjaer nuk ka ndërmend të ndryshojë strategjinë e tij. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë strategjia e United, në takimet ku CR7 nuk do të jetë titullar.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll