Connect with us

Futboll

Chelsea – Tuchel sugjeron se Ross Barkley mund të largohet

Ross Barkley

Trajneri i Chelsea, Thomas Tuchel, ka sugjeruar se mesfushori Ross Barkley, mund të largohet në formën e huazimit këtë merkato dimri. Lojtari ka luajtur vetëm 151 minuta në Premier League këtë sezon, dhe duke hequr mënjanë ndeshjet e Kupës, Barkley nuk është aktivizuar gati fare që prej muajit nëntor.

Kuptohet se situata ka frustruar mesfushorin, i cili pritej që të largohej nga Stamford Bridge që verën e kaluar. Por kjo gjë nuk ndodhi, pasi drejtuesit e Chelsea nuk gjetën në kohë një zëvëndësues për lojtarin. 28 vjeçari u fut në fushë si zëvëndësues, në fitoren e thellë në shifrat 5-1, që Chelsea arriti përballë rivalëve modestë të Chesterfield në FA Cup. Barkley iu afrua golit me një goditje të bukur me kënd nga cepi i zonës së penalltisë, por për fat të keq topi nuk përfundoi në rrjetë.

Trajneri Thomas Tuchel foli mbi të ardhmen e Barkley, gjatë komunikimit të tij rutinë me mediat. Gjermani tha:

“Nuk kemi diskutuar ende mbi një marrëveshje huazimi. Varet nga ajo që Ross dëshiron dhe çfarë mundësish ka që bëjnë sens. Do të shohim. Ka gjithmonë një shans për të luajtur, nuk bëhet fjalë vetëm për FA Cup. Mundësia është gjithmonë aty për t’u aktivizuar, sidomos tani kur shumë lojtarë janë të dëmtuar ose pozitivë me Covid. Situata nuk ka ndryshuar as për Ross, dhe as për lojtarë të tjerë.”

Lojtari i cili aktivizohet gjithashtu me kombëtaren angleze, është linkuar me një sërë klubesh në Premier League, mes të cilave, Newcastle, Burnley, Leeds dhe ish-klubi i tij i mëparshëm, Everton. Megjithatë sipas të dhënave të Daily Mail, Barkley nuk dëshiron të largohet nga Chelsea, dhe ka dëshirë të luftojë për një vend titullari. Ky mbase mund të jetë skenari i duhur për Barkley, pasi trajneri Tuchel ka përsëritur përsëri nevojën e rotacionit mes lojtarëve, për shkak të ngarkesës mjaft të madhe që sjell axhenda e ngjeshur e ndeshjeve. Gjermani tha:

Kemi ndeshje të vështira që na presin. Intensiteti i lojës është i ndryshëm kur përballë ke një ekip Premier League, dhe kur ke një ekip nga kategoria e pestë. Mendoj që është mjaft e rëndësishme që të ndajmë minutat mes lojtarëve, duke i dhënë pushim disa prej tyre, në mënyrë që të jenë në formën e tyre më të mirë për ndeshjet e ardhshme. Le të shikojmë… Duhet të përshtatemi vazhdimisht pasi situata mund të ndryshojë në çdo moment.”

Ndërkohë pavarësisht mundësive që ka në stol, Tuchel ka vendosur objektivat e tij për merkaton e janarit, dhe një prej tyre është dhe Lucas Digne. Ky i fundit është gjithashtu nën shënjestrën e Aston Villa dhe West Ham, ndërkohë që futbollisti ka refuzuar ofertën e Newcastle. Interesi nga Chelsea mendohet të jetë në formën e huazimit, por Everton që zotëron kartonin e futbollistit është i interesuar vetëm për një marrëveshje finale në formën e blerjes së kartonit.

Mbetet të shohim nëse Chelsea do të arrijë në një marrëveshje me francezin, duke qënë se momentalisht, janë klubi më elitar që kërkon shërbimet e lojtarit të Everton.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll