Connect with us

Futboll

Tottenham – Pas afrimit të Conte, ndryshojnë planet e Harry Kane

Harry Kane

Harry Kane duket se ka hequr dorë nga ideja e largimit nga Tottenham, pas ardhjes në klub të trajnerit të ri Antonio Conte. Raportimet më të fundit të “The Sun”, bëjnë me dije se sulmuesi anglez ka vendosur t’i japë më shumë kohë vetes, shenjë kjo që lë të nënkuptohet se Kane ka besim te aftësitë e teknikut italian.

Conte u zyrtarizua ditën e martë në krye të “Spursave”. Presidenti Daniel Levy, i mbështetur nga pronari miliarder i Tottenham, Joe Lewis, i ka ofruar trajnerit italian një kontratë të majme, përfitimet financiare të së cilës mund të shkojnë deri në 290,000 paundë në javë. Por kjo nuk është e gjitha.

Ish-trajnerit të Inter dhe Chelsea i është premtuar gjithashtu një buxhet prej 150 milionë paundësh, për t’u përdorur në merkato. Qëllimi kuptohet që është ringritja e Tottenham, në nivelet më të larta europiane. Presidenti i klubit është i dëshpëruar për të bërë kthesën pozitive, pas dështimit të Nuno, teknikut portugez që u shkarkua nga bordi drejtues.

Situata mes Kane dhe Tottenham ishte mjaft e tensionuar gjatë muajve të verës. Kjo pasi sulmuesi anglez, pretendonte se presidenti i skuadrës ishte tërhequr nga një “marrëveshje xhentëlmenësh”, sipas të cilës lojtari mund të largohej nga klubi nëse vinte momenti i duhur. Manchester City ofroi 125 milionë paundë për kartonin e Kane, por “Spursat” refuzuan ofertën, gjë që solli reagimin negativ të Harry Kane. Përpara mbylljes së merkatos verore, sulmuesi deklaroi se nuk do të largohej, megjithëse vendimi i tij u duk i nxitur nga rrethanat. Ai deklaroi:

“Do të qëndroj te Tottenham këtë verë dhe do të jem i fokusuar 100%, për të ndihmuar skuadrën të arrijë sukseset.”

Por Kane në deklaratën e tij, la të hapur mundësinë e largimit në një moment të dytë. Gjithsesi, duket se gjërat kanë ndryshuar pas ardhjes së Conte në krye të pankinës së londinezëve.

Chelsea gjithashtu ishte i interesuar në shërbimet e Kane, por futbollisti e refuzoi në mënyrë kategorike lëvizjen tek “Blutë”. Një prej arsyeve është dhe rivaliteti historik dhe i ashpër mes 2 klubeve, si dhe tifozerive të tyre.

Kapiteni i kombëtares angleze ka 3 vite të mbeutra në kontratën e tij me Tottenham. Futbollisti merr rreth 200,000 paundë në javë tek klubi i tij aktual, por duke llogaritur dhe përfitimet nga bonuset, paga javore e Kane mendohet se kap shifrën e 300,000 paundëve.

Kane ka kaluar një fillim të vështirë sezoni aktualisht, dhe për më shumë, është lënduar nga kritikat nga tifozët e Spurs, për shkak të dëshirës së tij për t’u larguar, dhe faktit që ai u paraqit vonë në stërvitjet parasezonale. Por sulmuesi gjithmonë kishte deklaruar privatisht, se nëse klubi do të ishte konkurrues në krye të Ligës Premier, ai do të dëshironte të qëndronte në Tottenham dhe do të refuzonte një lëvizje diku tjetër.

Tani duket se e ardhmja e Kane do të varet nga strategjia që do të ndjekë trajneri Antonio Conte, në krye të klubit. Pozitiv është fakti se burime të brendshme të Tottenham, bëjnë me dije se Kane me shokë, e kanë pritur mjaft mirë ardhjen e teknikut italian.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll