Connect with us

Futboll

Andriy Shevchenko rikthehet në Itali, kësaj rradhe si trajner

Andriy Shevchenko

Legjenda ukrainase, Andriy Shevchenko, do të rikthehet më në fund në Itali. Por kuptohet, kësaj rradhe jo si lojtar. Sipas La Gazzetta dello Sport, ish-sulmuesi i Milan dhe Chelsea do të jetë trajneri i ri i Genoa, në një kontratë 2 vjeçare me klubin.

Shevchenko hoqi dorë nga posti i trajnerit të kombëtares ukrainase, pas një Europiani mjaft të mirë, ku Ukraina tregoi karakter dhe vendosmëri në fushën e lojës. Tashmë, tekniku do të jetë në krye të pankinës në Stadio Luigi Ferrari, një sfidë kjo e një tjetër lloji. Eksperienca e vetme e 45 vjeçarit si trajner është ajo me përfaqësuesen ukrainase, të cilën Andriy Shevchenko e mori përsipër në vitin 2016.

Një tjetër rastësi interesante, është fakti se në ndeshjen e tij të parë si trajner i Genoa, Shevchenko do të përballet me Romën e drejtuar nga Jose Mourinho. Ky i fundit, në kohën kur drejtonte Chelsea, afroi në klub Shevchenkon, i cili kishte fituar dhe Topin e Artë. Shuma prej 30.8 milionë paundësh për transferimin e tij vendosi një rekord në atë kohë, në Premier League.

Por aventura e ukrainasit në Angli u shoqërua me ulje-ngritje. Shevchenko shënoi vetëm 9 gola në 48 paraqitje me klubin. Por tani, ish-sulmuesi është gati për një kapitull të ri në karrierën e tij. Ukrainasi do të zëvëndësojë Davide Ballardinin, i cili u shkarkua ditën e shtunë nga bordi drejtues i Genoa. Klubi gjendet vetëm 1 pikë larg zonës së rënies nga kategoria, dhe Andriy do të përballet që në fillim me një detyrë të vështirë.

Trajneri do të fitojë rreth 1.7 milionë paundë në sezon. Ish-asistenti i Milan, Mauro Tassotti, gjithashtu do t’i bashkohet Shevchenkos, dhe pritet të jetë numri 2 tek pankina e Genoa. Andrea Maldera, Raul Riancho dhe ish-sulmuesi i Tottenham Hotspur , Serhij Rebrov, gjithashtu pritet të bëhen pjesë e stafit menaxherial.

Genoa luan në elitën e futbollit italian që prej vitit 2007. Megjithatë, klubi i është afruar jo pak herë rënies nga kategoria. Italianët kanë përfunduar kampionatin në vendin e 17, plot 4 herë që prej promovimit në Serie A. Kuptohet se dëshira e pronarëve të klubit është që Genoa të konsolidojë vendin e saj në Serie A, dhe të kthehet në një skuadër më kompetitive.

Megjithëse Roma është një kundërshtar i fortë, ekipi i Jose Mourinho është përballur me mjaft vështirësi gjatë këtij sezoni. Kjo do të thotë se dhe Genoa mund të arrijë t’i rrëmbejë pikë verdhekuqëve. Këta të fundit mbajnë vendin e 4 në renditjen e Serie A. Megjithatë, Roma ka fituar vetëm 1 nga 6 takimet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Rezultati i fundit negativ ishte barazimi 2-2 në shtëpi përballë norvegjezëve të Bodo/Glimt, një skuadër tejet modeste. Pas takimit, trajneri portugez kritikoi ashpër arbitrat e ndeshjes. Mbetet të shohim se si do të reagojnë të besuarit e Mourinho përballë Genoas, pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë pritshmëritë janë të larta për Shevchenko, i cili e njeh mjaft mirë futbollin italian, të paktën nga prespektiva e futbollistit.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll