Connect with us

Kuriozitete Sportive

10 Futbollistët më të paguar në botë 2020 ‒ 2021

lionel messi

Jeni kuriozë të dini se cilët janë 10 futbollistët më të paguar në botë?

Sipas revistës prestigjoze “Forbes”, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kryesojnë përsëri renditjen për 10 futbollistët më të paguar në botë edhe për vitin 2020, me në krye Messin që zë vendin e parë me 126 milion dollarë, duke spostuar Ronaldon e Juventusit në vendin e dytë me 117 milion dollarë. Por, për tifozët e futbollit ka një surprizë te re nga Kylian Mbappe, sulmuesin e Paris Saint-Germain, i cili renditet në vendin e katërt me 48 milion dollarë.

Mbappe është surpriza e radhës, si e klubit të Parisit, ashtu edhe e kombëtares franceze, pasi ka shënuar 103 gola që nga fillimi i karrierës si profesionist pesë vjet më parë. Në moshën 19 vjeçare, ai u bë futbollisti më i ri që ka shënuar gol në Kupën e Botës, krahas legjendarit Pelé (i cili shënoi gol në 1958-ën, në moshën 17 vjeçare), duke ndihmuar francezët të fitonin trofeun e dytë. Për nga mosha, ylli francez ka shënuar 12 gola më shumë se Messi, dhe 76 më shumë se Ronaldo (duke marrë parasysh golat e shënuar nga këto dy lojtarë në të njëjtën moshë). 

Përveç golave, ai gjithashtu po fiton shumë më tepër pará sesa Messi dhe Ronaldo fitonin në njëjtën moshë. Djaloshi nga Bondy, një periferi e varfër pariziene, u bë adoleshenti sportist më i shtrenjtë në botë kur Paris Saint-Germain i pagoi 215 milion dollarë Monaco-s për të drejtat e tij në 2017-ën, dhe  nënshkroi me të një kontratë 28 milion dollarëshe për këtë sezon.

22-vjeçari mbetet përsëri prapa në renditje edhe këtë vit nga shoku i tij i skuadrës Neymar (i cili ka fituar 96 milion dollarë), por dinamika pritet të ndryshojë, pasi Mbappe pritet të nënshkruajë një kontratë të re marramendëse në 2022-shin, kur kjo e tanishmja të skadojë.

Këtë sezon, dhjetë lojtarët më të mirë në botë pritet të përfitojnë në total 570 milion dollarë nga pagat dhe shpërblimet, madje duke mos u ndalur as nga kjo pandemi, e cila pranverën e kaluar çoi në uljen e pagave nga 30% deri në 70% në të gjitha ligat evropiane. 

1. Lionel Messi, Barcelona

lionel messi

Fitime totale: 126 milion dollarë

Paga: 92 milion dollarë | Përfitime të tjera: 34 milion dollarë


Para ardhjes së Messit në 2005-ën, klubit të Barcelonës iu deshën 105 vjet për të fituar 64 trofe. Në 16 vitet e fundit, argjentinasi e ka udhëhequr ekipin drejt fitores së 34 trofeve me një performancë të shkëlqyer, duke e vendosur emrin e tij në mesin e fubollistëve më në zë. Gjatë karrierës së tij, “pleshti” ka shënuar mbi 700 gola, dhe ka fituar rreth 1 miliard dollarë (përfshirë taksat). Në 2017, Lionel Messi u martua me të dashurën e tij të fëmijërisë, Antonella Roccuzzo, dhe kanë tre djem sëbashku.

2. Cristiano Ronaldo, Juventus

Cristiano Ronaldo

Fitime totale: 117 milion dollarë

Paga: 70 milion dollarë | Përfitime të tjera: 47 milion dollarë


Ronaldo është sportisti më i njohur në planet, dhe ka 457 milion ndjekës në rrjetet sociale. Në të njëjtën kohë, ai paguhet me shuma marramendëse nga kompania sportive Hookit për të reklamuar rregullisht trupin e tij perfekt, si dhe nga sponsori i tij i përhershëm Nike. Gjithashtu, ai paguhet si model bukurie nga kompanitë e shëndetit, si Herbalife dhe Clear. Cristiano Ronaldo është futbollisti i dytë në histori ‒ pas Ali Daei të Iranit ‒ që ka shënuar më shumë se 100 gola me kombëtaren, duke e arritur këtë së fundmi në ndeshjen e Portugalisë kundër Suedisë në Ligën e Kombeve.

3. Neymar Jr., Paris Saint-Germain

Neymar Jr.

Fitime totale: 96 milion dollarë

Paga: 78 milion dollarë | Përfitime të tjera: 18 milion dollarë


Sulmuesi brazilian katërfishoi pagën e tij kur u transferua tek Paris Saint-Germain në gusht të 2017-ës. Me një vlerë rekord transferimi prej 263 milion dollarësh dhe pagës së tij mesatare prej 70 milion dollarësh, PSG po shpenzon më shumë se 600 milion dollarë për ta mbajtur 29-vjeçarin në kryeqytetin francez. Këtë verë, kompania Nike i dha fund kontratës me Neymar, duke e lejuar atë të nënshkruajë me kompaninë Puma, me një pagë vjetore prej 30 milion dollarësh.

4. Kylian Mbappe, Paris Saint-Germain

Kylian Mbappe

Fitime totale: 42 milion dollarë

Paga: 28 milion dollarë | Përfitime të tjera: 14 milion dollarë


Mbappe u shpall për të dytin vit radhazi fituesi i Këpucës së Artë 2019‒2020 të Ligue 1, Francë, e cila i jepet lojtarit që ka shënuar më shumë gola gjatë kampionatit. Gjithashtu, edhe klubi i tij, Paris Saint-Germain, u shpall kampion i ligës në bazë të pikëve të mbledhura, pasi kampionati u ndërpre për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ai u detyrua ta kalonte në karantinë hapjen e sezonit 2020‒2021 të Ligue 1, sepse doli pozitiv me SARS-CoV-2.

5. Mohamed Salah, Liverpool

Mohamed Salah

Fitime totale: 37 milion dollarë

Paga: 24 milion dollarë | Përfitime të tjera: 13 milion dollarë


Salah ka shënuar mbi 20 gola në secilin nga tre sezonet e fundit me Liverpool-in, dhe ndihmoi ekipin në fitoren e kampionatit të Premier League 2019‒2020 për herë të parë pas 30 vjetëve. Në shkurt, 28-vjeçari iu bashkua sponsorit afatgjatë Vodafone për të ndihmuar programin e OKB-së, e cili konsiston në dërgimin e mjeteve shkollore dixhitale për refugjatët në vendlindjen e tij, Egjipt.


Vazhdojmë me 10 Futbollistët më të paguar në botë 2020‒2021!


6. Paul Pogba, Manchester United

Paul Pogba

Fitime totale: 34 milion dollarë

Paga: 28 milion dollarë | Përfitime të tjera: 6 milion dollarë


Kontrata e mëparshme e Pogba-së me Manchester United skadonte këtë verë, megjithatë, ai e rinovoi atë edhe për një vit tjetër. Mesfushori francez trembi tifozët e tij kur postoi në mediat sociale se kishte nënshkruar me ekipin Verdansk FC. Por më vonë, u vërtetua që ai ishte një klub futbolli i trilluar dhe një sajesë e kompanisë Activision për të promovuar Call of Duty: Warzone, Sezoni 5. 27-vjeçari është shfaqur gjithashtu me Messin dhe Salah në fushatën e Pepsit “Play Never Stops”.

7. Antoine Griezmann, Barcelona

Antoine Griezmann

Fitime totale: 33 milion dollarë

Paga: 28 milion dollarë | Përfitime të tjera: 5 milion dollarë


Që nga debutimi zhgënjyes i francezit më Barcelonën sezonin e kaluar, kanë qarkulluar thashetheme se klubi po negocion për ta shkëmbyer atë me Neymar, me kërkesë të Messit. Griezmann është një tifoz i apasionuar i Brooklyn Nets (ekip basketbolli), dhe udhëton shpesh në SHBA për të ndjekur skuadrën e zemrës dhe për të postuar përkrahjen e tij në mediat sociale. Në janar të 2020-ës, ai nisi Grizi Esports për të garuar në lojërat elektronike FIFA, CS:Go, Fortnite dhe Rainbow Six.

8. Gareth Bale, Real Madrid

Gareth Bale

Fitime totale: 29 milion dollarë

Paga: 23 milion dollarë|Përfitime të tjera: 6 milion dollarë


Pas mosmarrëveshjeve të shumta me trajnerin e “galaktikëve” Zinedine Zidane, më 19 Shtator 2020, uellsiani u huazua tek anglezët e Tottenham Hotspur deri në mbylljen e këtij sezoni. Gjithsesi, “Gareth Bale “e dashuron ende” Real Madridin dhe nuk e ka problem të rikthehet në Santiago Bernabeu”, shprehet agjenti i tij ‒ por Zizu mund të ketë ide të tjera për të ardhmen e sulmuesit. Më 3 dhjetor të 2020-ës, në ndeshjen kundër austriakëve të LASK në Europa League, ai shënoi golin e tij të 200-të në karrierë. Uellsiani është gjithashtu edhe një amator golfi dhe ka reklamuar në mediat sociale produktet dhe eventet e kompanisë së golfit TaylorMade.

9. Robert Lewandowski, Bayern Munich

Robert Lewandowski

Fitime totale: 28 milion dollarë

Paga: 24 milion dollarë | Përfitime të tjera: 4 milion dollarë


Sigurisht që edhe Robert Lewandowski bën pjesë tek 10 Futbollistët më të paguar në botë.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, revista France Football, organizatori i Ballon d’Or (Topi i Artë), vendosi ta anulojë evenimentin e lojtarit më të mirë në botë 2020. Favoriti kryesor i trofeut ishte dukshëm Robert Lewandowski. Në ndeshjet e sezonit të kaluar, sulmuesi polak kontribuoi drejtpërdrejt në 65 gola për Bayern Munchen – ku në 47 ndeshje shënoi 55 gola dhe dha dhjetë asiste. Në Ligën e Kampionëve, ai shënoi në çdo ndeshje, përveç finales kundër PSG, të cilën ekipi i tij e fitoi me një gol të vetëm, të shënuar nga shoku i tij i skuadrës Kingsley Coman. Jashtë fushës, ai është një nga sportistët më të njohur në rrjetin social TikTok, me 2.4 milion ndjekës.

10. David De Gea, Manchester United

David De Gea

Fitime totale: 27 milion dollarë

Paga: 24 milion dollarë | Përfitime të tjera: 3 milion dollarë


Paga prej 24 milion dollarësh e De Geas për këtë sezon e bën atë portierin më të paguar në botë. 30-vjeçari spanjoll luan si portier për klubin anglez të Manchester United dhe ekipin kombëtar të Spanjës. Ai ka luajtur për ekipin e të rinjve të Athletico Madrid që në moshën 13 vjeçare, dhe qysh në atë kohë ishte një portier shumë i talentuar dhe i aftë. De Gea është i martuar me këngëtaren dhe aktoren e njohur spanjolle Edurne që nga viti 2010, dhe shpesh promovon punën e saj në rrjetet sociale.

Metodologjia

Për përpilimin e kësaj liste është biseduar me klube futbolli, agjentë lojtarësh, sponsorë komercialë dhe ekspertë futbolli në Sh.B.A dhe Evropë. Të gjitha shifrat konvertohen në dollarë amerikanë dhe përfshijnë pagat dhe përfitimet e tjera për sezonin 2020‒2021. Në këto të dhëna nuk janë zbritur taksat.

Burimi: Forbes

Blerimi është gjithashtu një nga kontribuesit tanë kryesorë, mbulon një gamë të gjërë artikujsh me një specialitet në departamentin e kurioziteteve sportive!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete Sportive