Lamine Yamal ka shprehur bindjen se e meriton Topin e Artë për vitin 2026, duke e cilësuar Kylian Mbappen si rivalin e tij kryesor. Në një intervistë për MovistarPlus, futbollisti i Barcelonës e mbështeti pretendimin te sukseset e arritura dhe tha se, sipas vlerësimit të tij, ai dhe sulmuesi i Real Madridit qëndrojnë mbi të gjithë futbollistët e tjerë.

19-vjeçari fitoi La Ligën me Barcelonën dhe Kupën e Botës me Spanjën. Ai u shpall edhe lojtari më i mirë i kampionatit spanjoll për sezonin 2025/26, arritje që i japin peshë kandidaturës së tij për çmimin individual.

Deklarata erdhi pas një qëndrimi më të përmbajtur në një konferencë për media. Atje, Yamali kishte thënë se besonte te mundësia për ta fituar çmimin, por se nuk do të kërkonte vota me ngulm.

Ndërkohë, ai ka vazhduar të shënojë me Barcelonën, ndonëse periudha e vlerësimit për Topin e Artë ka përfunduar. Yamali realizoi dy gola në fitoren 4:2 ndaj Levantes dhe ka shënuar nga dy herë në tri ndeshjet e fundit kampionale. Kundër Feyenoordit në Ligën e Kampionëve kontribuoi me një gol dhe dy asistime në suksesin 5:1.

Mbappe ka shfaqur gjithashtu hapur ambicien për çmimin. Në një intervistë për France Football, francezi tha se do të votonte për veten. Ai kryesoi listat e golashënuesve në tri gara: Botëror, kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampionëve, por e mbylli sezonin pa trofe.

Pavarësisht triumfit me Spanjën, Yamali nuk e vlerësoi pa rezerva paraqitjen e vet në Botëror. Ai shpjegoi se kishte bërë punë të dobishme për skuadrën, përfshirë angazhimin e disa kundërshtarëve njëkohësisht, por kishte pritur më shumë nga vetja.

Gara për çmimin shtrihet përtej dy emrave. Ousmane Dembele, fituesi i edicionit të kaluar përpara Yamalit, mendon se trofeu duhet t’i mbetet një lojtari të Paris Saint-Germainit pas mbrojtjes së titullit evropian. Mes favoritëve është edhe Harry Kane. Fituesi do të shpallet më 26 tetor në Londër. /KOHA

Raporto një pasaktësi