Cristiano Ronaldo ka fituar çmimin B.O.A.T. të France Football me edicionin e tij të Topit të Artë të vitit 2008, duke lënë pas Lionel Messin e vitit 2012. Çmimi i ri u krijua për të përzgjedhur, përmes votimit të publikut, edicionin më të mirë mes fituesve të shumëfishtë të trofeut.

Zgjedhja e tifozëve u ndal te viti kur Ronaldo fitoi Topin e parë të Artë në karrierë, si futbollist i Manchester Unitedit. Në garën për trofeun e vitit 2008, portugezi kishte përfunduar përpara Messit dhe spanjollit Fernando Torres.

Ronaldo më pas e fitoi çmimin edhe katër herë të tjera: më 2013, 2014, 2016 dhe 2017, në të gjitha rastet si lojtar i Real Madridit. Përballë edicionit të tij të parë fitues, publiku e renditi të dytin Messin e vitit 2012, vit gjatë të cilit argjentinasi shënoi 91 gola me klubin dhe kombëtaren.

Formati i B.O.A.T. ndryshonte nga ai i Topit të Artë tradicional. Në vend të jurisë së gazetarëve ndërkombëtarë, vendimin e morën përdoruesit në internet. Ata nuk zgjidhnin thjesht një futbollist, por një edicion të caktuar në të cilin ai ishte shpallur fitues.

Në votim u përfshinë dhjetë futbollistë që e kishin fituar Topin e Artë të paktën dy herë. Krahas Ronaldos dhe Messit, kandidatët ishin Ronaldo Nazario, Marco van Basten, Michel Platini, Johan Cruyff, Franz Beckenbauer, Kevin Keegan, Alfredo Di Stefano dhe Karl-Heinz Rummenigge.

Pjesëmarrja ishte me pagesë: çdo votë kushtonte një euro. Votuesit përfshiheshin edhe në një short për dy bileta për ceremoninë e Topit të Artë të vitit 2027. Sistemi lejonte votimin e përsëritur dhe më shumë se pesë mijë persona votuan mbi një herë. /GOAL

Raporto një pasaktësi