Dymbëdhjetë nga 16 kombëtaret pjesëmarrëse në Europianin U-21 të vitit 2027 janë përcaktuar pas përfundimit të fazës së grupeve kualifikuese më 6 tetor. Shqipëria dhe Serbia, të kualifikuara automatikisht si bashkorganizatore, do ta presin turneun nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027. Për kuqezinjtë do të jetë pjesëmarrja e parë në fazën finale të këtij kompeticioni.
Përmes kualifikueseve kanë siguruar vendin Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Polonia, Portugalia dhe Spanja. Nëntë prej tyre u kualifikuan si fituese grupesh, ndërsa Polonia mori biletën direkte si skuadra e vendit të dytë me bilancin më të mirë sipas kritereve të UEFA-s.
Katër biletat e fundit do të ndahen në ndeshjet shtesë, të planifikuara nga 9 deri më 17 nëntor 2026. Në këtë fazë do të marrin pjesë Çekia, Danimarka, Finlanda, Greqia, Islanda, Holanda, Irlanda dhe Turqia. Shorti që do të përcaktojë çiftet do të hidhet më 9 tetor në Nyon.
Anglia do të mbrojë titullin pasi fitoi edicionet e viteve 2023 dhe 2025. Ajo ka siguruar pjesëmarrjen e 11-të radhazi në fazën finale dhe synon të bëhet kombëtarja e dytë me tre trofe të njëpasnjëshëm, pas Italisë së viteve 1992–1996. Italia dhe Spanja mbajnë rekordin e përgjithshëm me nga pesë tituj.
Mes të kualifikuarave, Franca e mbylli fushatën pa humbje, ndërsa Spanja pati sulmin më produktiv me 47 gola. Gjermania, finaliste e edicionit 2025, pati edhe golashënuesin më të mirë të kualifikueseve: Nicolò Tresoldi, me dhjetë gola.
Shorti i fazës finale është caktuar për më 26 nëntor 2026, në orën 18:30, në qendrën e kongreseve Sava në Beograd. Skuadrat do të ndahen në katër grupe me nga katër; dy të parat e secilit grup do të kalojnë në çerekfinale.
Ndeshjet do të luhen në tetë stadiume, nga katër në secilin vend organizator. Në Shqipëri janë përzgjedhur Arena Kombëtare dhe Arena e Demave në Tiranë, Elbasan Arena dhe stadiumi Loro Boriçi në Shkodër.
Ky do të jetë Europiani i parë U-21 i zhvilluar në Shqipëri ose Serbi dhe edicioni i katërt me 16 skuadra. Shqipëria priti më parë Europianin U-17 të vitit 2025, ndërsa Tirana ishte vendi i finales së parë të Ligës së Konferencës në vitin 2022. /FSHF
Raporto një pasaktësi
