Ballkani e mposhti Gjilanin 3:1 në Suharekë, duke përmbysur disavantazhin në pjesën e fundit të ndeshjes së javës së 14-të të Superligës së Kosovës. Dijar Nikqi ishte vendimtar pas hyrjes nga stoli, me një asistim dhe golin që i dha epërsinë skuadrës vendase.

Pjesa e parë përfundoi pa gola dhe rezultati mbeti i pandryshuar edhe për pjesën më të madhe të pjesës së dytë. Përballja u hap kur Gjilani fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje në zonën e Ballkanit dhe rishikimit të rastit në VAR. Armend Thaqi ishte i saktë nga pika e bardhë dhe i kaloi mysafirët në avantazh.

Reagimi i Ballkanit erdhi me përfshirjen e Nikqit në sulm. Ai shërbeu për Albin Berishën, i cili barazoi shifrat në 1:1. Më pas, vetë sulmuesi i ardhur nga stoli dërgoi topin në rrjetë për ta kthyer rezultatin në favor të vendasve.

Gjilani e mbylli takimin me dhjetë lojtarë, pasi Arbër Potoku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Në minutën e katërt shtesë, Abou Dosso shënoi golin e tretë të Ballkanit, duke vendosur rezultatin përfundimtar.

Ballkani u drejtua nga trajneri i përkohshëm Edon Gashi, pas largimit të Sami Sermaxhajt. Skuadra nga Suhareka hyri në këtë përballje nga vendi i pestë, me 19 pikë, ndërsa Gjilani mbante pozitën e katërt.

Me këtë fitore, vendasit arritën në kuotën e 22 pikëve dhe kaluan mbi Gjilanin në renditje. Tani Ballkani është i katërti dhe Gjilani i pesti, me pikë të barabarta.

Për Gjilanin, kjo ishte humbja e parë nën drejtimin e Zekirija Ramadanit dhe i dha fund ecurisë prej pesë ndeshjesh pa disfatë. Në përballjen e parë mes tyre këtë sezon, të zhvilluar në shtator, Gjilani kishte fituar 1:0. /TOPSPORTI

Raporto një pasaktësi