Tottenhami e përmbysi Manchester Cityn me rezultatin 3:1 në Joie Stadium, duke ia mohuar rikthimin në krye të Superligës angleze të femrave. Khadija Shaw i kaloi vendëset në epërsi, por Cathinka Tandberg, Matilda Vinberg dhe Jess Naz shënuan për fitoren e skuadrës londineze.

City e nisi më mirë takimin dhe përfitoi nga një top i humbur prej Vinbergut. Jade Rose fitoi zotërimin lart në fushë dhe shërbeu për Shaw, e cila realizoi nga afërsia. Megjithatë, goli i hershëm nuk u pasua nga vazhdimësia në sulm e vendëseve.

Tottenhami reagoi duke ushtruar presion dhe duke krijuar raste përmes Kirsty Hansonit, e cila e vuri dy herë në provë portieren Ayaka Yamashita. Para pushimit, Hanson depërtoi nga krahu dhe dërgoi një pasim të ulët për Tandbergun, që barazoi me një goditje në këndin e sipërm.

Pas pushimit, Amanda Nilden rrezikoi portën e Cityt me një goditje nga kufiri i zonës. Në anën tjetër, Rose pati mundësi ta rikthente skuadrën e saj në avantazh, por gjuajti mbi portë pasi Lize Kop nuk e kontrolloi plotësisht një goditje dënimi të Lauren Hempit.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 75-të. Drew Spence gjeti me një pasim mes mbrojtëseve Vinbergun, e cila depërtoi drejt portës dhe mposhti Yamashitan. Më pas, ndërsa City kërkonte barazimin, Vinberg shërbeu për zëvendësuesen Naz, që shënoi golin e tretë e pambuluar.

Për Nazin, goli erdhi në paraqitjen e saj të 100-të në Superligë. Tottenhami siguroi gjithashtu fitoren e parë ndaj Cityt në këtë garë që prej vitit 2021, duke ndërprerë serinë e rezultateve negative në këtë përballje.

City mbeti i dyti, dy pikë pas Chelseat, dhe pësoi dy humbje radhazi në kampionat për herë të parë që prej janarit 2025. Tottenhami qëndroi i pesti me gjashtë fitore në 11 ndeshje, tri pikë pas London City Lionesses, që mbante vendin e fundit kualifikues për Ligën e Kampioneve. /MANCHESTER CITY

Raporto një pasaktësi