Taulant Seferi shënoi dy gola në fitoren 4:0 të Kayserisporit në shtëpi ndaj Istanbulsporit, në Ligën e Parë të Turqisë. Sulmuesi shqiptar hapi dhe mbylli serinë e golave në një sukses që e ngjiti skuadrën e tij në krye të renditjes.

29-vjeçari zhbllokoi rezultatin në minutën e 25-të. Moreno realizoi dy golat e tjerë të vendasve, përpara se Seferi të shënonte sërish në minutën e 83-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar.

Me këtë dygolësh, Seferi arriti në shtatë gola në shtatë ndeshje të kampionatit. Ai mban vendin e dytë në listën e golashënuesve, dy gola pas Iheanaços së Bursasporit, në garën për Këpucën e Artë të Ligës së Parë turke.

Kayserispori ka tashmë 16 pikë, po aq sa Bursaspori dhe Batman Petrolspori. Fitorja ndaj Istanbulsporit e vendosi në krye, ndërsa ngjitja në Superligën e Turqisë mbetet një nga synimet e Seferit me klubin.

Paralelisht me garën në kampionat, sulmuesi kërkon të forcojë pozitat në kombëtaren shqiptare. Ai kishte mbetur jashtë përzgjedhjeve të ish-trajnerit Silvinjo nga nëntori i vitit 2024 deri në largimin e brazilianit.

Trajneri i ri, Maran, e ftoi për dy miqësoret e qershorit. Seferi qëndroi në stol ndaj Izraelit, ndërsa në humbjen përballë Luksemburgut u aktivizua për 45 minuta. /ABC NEWS

Raporto një pasaktësi