Liria ka ftuar tifozët në stadiumin “Përparim Thaçi” për përballjen me Rilindjen 1974, e paralajmëruar si ndeshja e parë e klubit nën dritën e reflektorëve në Prizren. Takimi i javës së 17-të të Ligës së Parë të Kosovës është caktuar për të dielën, në orën 17:00.

Klubi prizrenas e ka bërë ftesën përmes rrjeteve sociale, duke publikuar një video të shkurtër me topin në mesin e fushës së ndriçuar. Ndeshja do të zhvillohet në orar mbrëmjeje, ndryshe nga termini i zakonshëm dimëror prej orës 13:00 në shumicën e stadiumeve të Kosovës.

Skuadra vendëse hyn në këtë përballje si kryesuese e kampionatit. Pas 16 xhirove, Liria ka grumbulluar 39 pikë, ndërsa Prishtina e Re ndodhet në vendin e dytë me 33 dhe Ferizaj në të tretin me 30 pikë.

Rilindja 1974 renditet në pjesën e sipërme të tabelës. Për Lirinë, që synon rikthimin në Superligë, përballja është mundësi për të ruajtur epërsinë ndaj ndjekësve para pushimit dimëror.

Drejtori i përgjithshëm i klubit, Arben Ahmeti, u ka bërë gjithashtu thirrje tifozëve të jenë të pranishëm, duke e lidhur mbrëmjen edhe me mundësinë për të festuar titullin e kampionit vjeshtor.

Pas takimit me Rilindjen 1974, skuadrën prizrenase e pret përballja në udhëtim me Ferizajn, njërin prej rivalëve të saj në krye të renditjes. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi