Arsenali po shqyrton mundësinë e afrimit të Antonio Nusas nga RB Leipzigu për të përforcuar sulmin në vitin 2027, ndërsa edhe Bayerni mbetet i interesuar për anësorin norvegjez. Klubi londinez dëshiron të bëjë hapa konkretë për transferimin e tij, por qëndrimi i Leipzigut kundër një shitjeje në janar e bën verën një mundësi më reale.

Nusa ka edhe dy vjet e gjysmë kontratë me klubin gjerman dhe marrëveshja e tij nuk përmban klauzolë largimi. Kjo do të thotë se çdo transferim do të kërkonte negociata me Leipzigun, i cili nuk dëshiron ta shesë gjatë afatit dimëror.

Arsenali po kërkon kryesisht një përforcim për krahun e majtë, por dëshiron një futbollist që mund të luajë edhe në pozicione të tjera të sulmit. Nusa nuk është kandidati i vetëm: londinezët vazhdojnë të ndjekin edhe Kevin Schaden e Brentfordit, i cili është në bisedime me klubin e tij për një kontratë të re.

Në anën tjetër, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, vazhdon ta vlerësojë Nusan si alternativë për sulmin. Norvegjezi ishte diskutuar si objektiv në Munih edhe gjatë verës së kaluar, kur bavarezët shqyrtonin afrimin e një konkurrenti për Luis Diazin në krahun e majtë.

Lëndimi i Diazit ka ndikuar në zgjidhjet e Bayernit, ndërsa Alphonso Davies është zhvendosur përkohësisht në një rol më sulmues. Përforcimi i këtij krahu raportohet të jetë ndër përparësitë për verën, ndërsa në listën e kandidatëve përmenden edhe Oskar Pietuszewski i Portos, Rio Ngumoha i Liverpoolit dhe Eli Junior Kroupi i Bournemouthit.

Nusa, 21 vjeç, iu bashkua Leipzigut nga Club Brugge në verën e vitit 2024 për 21 milionë euro. Ai është në sezonin e tretë te skuadra gjermane dhe është bashkëlojtar i kapitenit të Arsenalit, Martin Odegaard, në përfaqësuesen e Norvegjisë. /GOAL

Raporto një pasaktësi