Shqipëria U21 është vendosur në vazon e katërt për shortin e fazës finale të Kampionatit Evropian 2027 dhe, si bashkorganizatore, e ka të përcaktuar vendin B1 në grupin B. Ndarja e publikuar nga UEFA e vendos përfaqësuesen shqiptare përballë një shorti të vështirë, me kundërshtarë nga secila prej tri vazove të para.

Shorti do të hidhet më 26 nëntor, në orën 18:30, në Qendrën e Kongreseve Sava në Beograd. Ai do t’i ndajë 16 finalistët në katër grupe me nga katër skuadra, ku secili grup do të ketë nga një përfaqësuese prej çdo vazoje.

Shqipëria ka koeficientin 24.521, më të ulëtin mes skuadrave pjesëmarrëse. Në të njëjtën vazo janë Belgjika, Çekia dhe bashkorganizatorja tjetër, Serbia, e cila ka koeficientin 24.991 dhe është caktuar paraprakisht në pozicionin A1.

Vazoja e parë përbëhet nga Spanja, Gjermania, Anglia dhe Portugalia. Njëra prej këtyre përfaqësueseve do të jetë kundërshtare e Shqipërisë në grup, ndërsa nga vazoja e dytë mund të vijë Franca, Italia, Holanda ose Kroacia.

Polonia, Greqia, Finlanda dhe Norvegjia plotësojnë vazon e tretë. Meqë Shqipëria dhe Serbia i kanë tashmë pozicionet e tyre, Belgjika dhe Çekia do të vendosen në grupet C dhe D. Asnjëra prej tyre nuk mund të jetë kundërshtare e kuqezinjve në fazën e grupeve.

Turneu do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027 në Shqipëri dhe Serbi. Dy skuadrat e para të secilit grup do të kalojnë në çerekfinale, duke e reduktuar në tetë numrin e përfaqësueseve që vazhdojnë garën.

Për grupin B është përcaktuar edhe rruga e parë e fazës me eliminim të drejtpërdrejtë: fituesi do të përballet me vendin e dytë të grupit D, ndërsa skuadra e dytë do të luajë kundër fituesit të atij grupi. /ABC NEWS

Raporto një pasaktësi