Ministria e Sportit dhe Rinisë ka miratuar 70.500 euro shpërblime për sportistët kosovarë që fituan medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” dhe për trajnerët e tyre. Vendimin e bëri të ditur ministri Blerim Gashani më 30 shtator 2026, përmes një postimi në Facebook.

Mbështetja është e njëhershme dhe shuma për secilin përfitues përcaktohet sipas medaljes së fituar. Për medaljen e artë janë paraparë 10.000 euro për sportistin dhe 5.000 euro për trajnerin.

Fituesit e medaljeve të argjendta do të shpërblehen me nga 5.000 euro, ndërsa trajnerët e tyre me nga 2.500 euro. Për medaljen e bronztë, shpërblimi është 3.000 euro për sportistin dhe 1.500 euro për trajnerin.

Kosova e përfundoi pjesëmarrjen në këtë edicion me nëntë medalje: dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta. Medaljet e arta i fituan karateisti Islam Selmani dhe boksierja Donjeta Sadiku.

Vendimi i ministrisë pasoi atë të Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili disa ditë më herët kishte vendosur të ndante 20 deri në 23 mijë euro për sportistët medalistë të “Taranto 2026”. /KOHA

Raporto një pasaktësi