Donjeta Sadiku e përfundoi me medalje të bronztë garimin në Kampionatin Evropian të boksit amator në Sofje të Bullgarisë. Në gjysmëfinalen e 24 shtatorit 2026, boksierja 27-vjeçare humbi 4:1 nga Kristina Kuluhova, përfaqësuese e Serbisë, në kategorinë deri në 60 kilogramë.

Sadiku e kishte siguruar medaljen një ditë më parë. Në çerekfinale, ajo mposhti boksieren holandeze Maud van der Toorn, fitore që i dha vendin në podium dhe mundësinë për të luftuar për finalen.

Pas humbjes në gjysmëfinale, Federata e Boksit e Kosovës kundërshtoi gjykimin. Në reagimin e publikuar të enjten, federata pretendoi se Kuluhova kishte përfituar nga vendimet e gjyqtarit në ring gjatë tri raundeve të duelit.

Sipas federatës, Kuluhova e kishte ulur vazhdimisht kokën dhe ia kishte mbajtur duart Sadikut, duke penguar zhvillimin normal të përballjes. Federata pretendoi se gjyqtari, në vend që të ndëshkonte përfaqësuesen e Serbisë për këto veprime, e kishte ndëshkuar Sadikun.

Përballja në Sofje solli një rezultat të ndryshëm nga takimi i tyre në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”. Atje, Sadiku e kishte mposhtur Kuluhovën për të fituar finalen, ndërsa këtë herë boksierja që përfaqëson Serbinë ia ndali rrugën drejt duelit për medaljen e artë. /KOHA

Raporto një pasaktësi