Arba Hasanaj e përfundoi në vendin e pestë garën e xhudos në kategorinë deri në 78 kilogramë në Lojërat Olimpike për të Rinj “Dakar 2026”. Xhudistja kosovare mbeti jashtë podiumit pasi humbi përballjen për medaljen e bronztë ndaj austriakes Selina Woegerer.

Gjatë rrugëtimit të saj në Dakar, Hasanaj regjistroi tri fitore. Ajo mposhti Figueroan nga Porto Riko, australianen Mc Henry dhe Espinosan nga Nikaragua, përpara se të përballej me Woegerer për një vend në podium.

Lufta për të bronztën u vendos shpejt. Pas një sulmi të pasuksesshëm të Hasanajt, austriakja mori kontrollin në luftën në tokë dhe e mbajti të mbërthyer kundërshtaren, duke siguruar fitoren me ippon.

Woegerer fitoi kështu njërën prej dy medaljeve të bronzta të kategorisë. Tjetra i takoi kinezes Yue Cheng, pasi kubania Kayla Pita Zorrilla nuk mundi të garonte në përballjen tjetër për medalje. Hasanaj dhe Pita Zorrilla u renditën të pestat.

Titullin në këtë kategori e fitoi braziliania Clarisse Vallim, e cila mundi në finale Anastasiia Dobrovolskaian. Vallim u rezistoi sulmeve të kundërshtares dhe e mbylli finalen me ippon në tokë, pranë fundit të duelit.

Kategoria deri në 78 kilogramë u zhvillua në ditën e fundit të garave të xhudos në Dakar 2026. Federata e Xhudos së Kosovës e përgëzoi Hasanajn për paraqitjen dhe tri fitoret e arritura. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi