Marcel Sabitzer nuk do të jetë pjesë e Austrisë në Ligën e Kombeve dhe do të mungojë në përballjen me Kosovën më 27 shtator 2026 në Prishtinë. Mesfushori 32-vjeçar i Borussia Dortmundit ka vendosur të bëjë pushim nga kombëtarja, ndërsa rikthimi për kualifikimet e Euro 2028 mbetet i mundshëm.

Austria e nis garën më 24 shtator kundër Izraelit në Linz, përpara udhëtimit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kosova dhe Austria janë në Grupin 3 të Ligës B, ku bën pjesë edhe Irlanda. Dy përfaqësueset do të takohen dy herë gjatë këtij edicioni.

Në deklaratën e tij për Federatën e Futbollit të Austrisë, Sabitzer e lidhi vendimin me ngarkesën e dy viteve të fundit. Ai shpjegoi se angazhimet që prej Euro 2024, përfshirë Kupën e Botës për Klube dhe Kupën e Botës, i kanë lënë pak hapësirë për pushim.

Mesfushori përmendi edhe kalendarin e ngjeshur me Dortmundin në Bundesligë, Kupë dhe Ligën e Kampionëve. Në moshën 32-vjeçare, ai synon ta menaxhojë më me kujdes energjinë, për të vazhduar të luajë në nivel të lartë edhe për disa vite.

Pushimi është dakorduar me përzgjedhësin Ralf Rangnick. Trajneri bëri të ditur se bisedimet për të ardhmen e Sabitzerit kishin nisur para Kupës së Botës dhe se i kuptonte arsyet e lojtarit, ndonëse shprehu keqardhje për mungesën e tij në Ligën e Kombeve.

Sabitzer dhe Rangnick do ta diskutojnë sërish situatën në fillim të vitit 2027, përpara kualifikimeve evropiane. Mesfushori ka regjistruar 102 paraqitje dhe 27 gola me Austrinë; vendimi i tij është një ndërprerje e përkohshme, jo njoftim për tërheqje përfundimtare. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi