Kimi Antonelli fitoi Çmimin e Madh të Spanjës më 13 shtator 2026, duke përfunduar përpara Max Verstappenit dhe Lando Norrisit në garën e parë të Formula 1 në pistën Madring të Madridit. Piloti i Mercedesit regjistroi suksesin e tetë në 14 gara të sezonit dhe e zgjeroi në 81 pikë epërsinë ndaj shokut të skuadrës, George Russell, në krye të kampionatit.
Pjesa hapëse i takoi Norrisit, i cili ruajti pozitën e nisjes dhe krijoi një diferencë prej 6,2 sekondash. Dy daljet e Antonellit në krye nuk zgjatën: të dyja erdhën nga prerja e shikaneve dhe piloti i Mercedesit ia ktheu pozitën Norrisit.
Dallimin në ndalesat e para e bëri mundësia për të hyrë në bokse gjatë neutralizimit. Defekti në frena që ndali makinën e Lance Strollit solli aktivizimin e makinës virtuale të sigurisë në xhiron e 15-të. Antonelli dhe Verstappen përfituan nga kjo periudhë, por Norris, që e kishte kaluar hyrjen e bokseve, nuk pati të njëjtën mundësi.
Për pilotin e McLarenit, ndalesa erdhi pasi gara ishte kthyer në ritmin normal dhe zgjati shtatë sekonda për shkak të vështirësive me rrotat e djathta. Nga kryesues, ai u gjend i pesti. Ndërkohë, Leclerc vazhdoi pa ndërruar gomat e forta të nisjes dhe mbajti Ferrarin në krye.
Strategjia e Leclercut mbështetej te shpresa për një tjetër neutralizim që do t’ia ulte koston kohore të ndalesës, raporton BBC-ja. Pa atë mundësi, Ferrari e futi në bokse në xhiron e 48-të. Leclerc doli pas treshes së podiumit dhe Antonelli mbeti në krye deri në finish.
Norris e rikuperoi terrenin deri te Verstappeni, por lufta e tyre për vendin e dytë nuk ndryshoi renditjen. As shqyrtimi nga zyrtarët i një prerjeje të shikanes nga Verstappeni nuk solli masa. Piloti i Red Bullit e përfundoi garën katër sekonda pas Antonellit.
Pas Leclercut, Russell u rendit i pesti me një strategji që kërkoi dy ndalesa. Liam Lawson, Franco Colapinto, Oscar Piastri, Arvid Lindblad dhe Nico Hulkenberg plotësuan dhjetëshen e parë. Gara e Piastrit u ndikua nga një problem në krahun e përparmë pas kontaktit me Russellin në xhiron hapëse.
Lewis Hamilton u tërhoq herët për shkak të një defekti në frena. Pas kësaj gare, piloti i Ferrarit mbeti 101 pikë prapa Antonellit, i cili përfitoi nga rezultati në Madrid për të forcuar më tej pozitën në garën për titull. /KOHA
Raporto një pasaktësi


