Neymari nuk do të rikthehet në kombëtaren e Brazilit, deklaroi përzgjedhësi Carlo Ancelotti në një intervistë për CNN. Sipas trajnerit italian, Neymari ka konfirmuar vetë se nuk dëshiron të luajë sërish për përfaqësuesen.

Ancelotti vlerësoi se Neymari meritonte një vend në Kupën e Botës për shkak të cilësive të tij. Ai e përshkroi brazilianin si një talent unik, të cilin nuk mund ta zëvendësojë një lojtar tjetër.

Për të ardhmen, përzgjedhësi synon t’u japë përparësi brezave të rinj. Ai veçoi futbollistët e lindur në vitet 2004, 2005 dhe 2006 si pjesë të rëndësishme të këtij orientimi të Brazilit.

Trajneri përmendi edhe lojtarë të talentuar të lindur në vitin 2008, të cilët ende nuk po luajnë, por mund të kenë mundësi të luajnë në të ardhmen. Ai kërkoi që përfshirja e tyre të bëhet gradualisht, duke pasur parasysh moshën.

Ancelotti pranoi se futbollistët mund të luajnë në nivel të lartë edhe në moshën 36 apo 37-vjeçare, por theksoi se vëmendja e tij tashmë do të përqendrohet te të rinjtë.

Neymari regjistroi 130 paraqitje me Brazilin, shënoi 80 gola dhe dha 59 asistime. Me përfaqësuesen braziliane ai fitoi Kupën e Konfederatave në vitin 2013. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi