Zinedine Zidane planifikon ta zhvendosë Kylian Mbappen në krahun e majtë të sulmit të Francës, duke e larguar nga roli i qendërsulmuesit që ka mbajtur te kombëtarja dhe Real Madridi. Përzgjedhësi i ri e ka shprehur publikisht këtë preferencë para nisjes së fushatës në Ligën e Kombeve, të premten kundër Turqisë.

Sipas RMC Sport, Zidane ia ka komunikuar Mbappes planin në një bisedë para grumbullimit të kombëtares. Gjatë prezantimit të listës së tij të parë, trajneri ka shpjeguar se sulmuesi mund të luajë në të tria pozitat e sulmit, por se ai e parapëlqen në të majtë.

Ky ndryshim do ta rikthente Mbappen në një rol ku ka regjistruar 21 gola dhe 16 asistime në 32 ndeshje me Francën. Paraqitja e tij e fundit si titullar në atë krah në një ndeshje zyrtare ishte në gjysmëfinalen e Evropianit 2024 kundër Spanjës. Atëherë, Kolo Muani luante në qendër të sulmit dhe Franca u eliminua pas humbjes 2:1.

Për takimin me Turqinë, Ousmane Dembélé mund të luajë si qendërsulmues. Sipas L’Équipe, Zidane po përgatit një rreshtim 4-3-3, ndryshe nga skema 4-2-3-1 që Didier Deschamps përdorte në periudhën e fundit të drejtimit.

Mbappe mungoi në stërvitjen e së martës për shkak të gripit, por u rikthye në fushë të mërkurën paradite. Pasi u shërua, ai zhvilloi seancën e parë nën drejtimin e Zidane në Clairefontaine.

Mbappe do ta mbajë shiritin e kapitenit, ndërsa Dembélé do të jetë zëvendësi i parë. Adrien Rabiot dhe Jules Koundé plotësojnë hierarkinë e kapitenëve, të përcaktuar sipas numrit të paraqitjeve me kombëtaren.

Zidane ka kërkuar gjithashtu që Mbappe të punojë pa top njësoj si bashkëlojtarët. Në konferencën e tij të parë për shtyp, ai i ka hedhur poshtë pretendimet për mungesën e angazhimit mbrojtës të sulmuesit. /GOAL

Raporto një pasaktësi