Conor Coady njoftoi tërheqjen nga futbolli profesionist në moshën 33-vjeçare. Ish-kapiteni i Wolverhampton Wanderers dhe mbrojtësi i Anglisë e bëri publik vendimin përmes një postimi në Instagram, duke mbyllur një karrierë 15-vjeçare me 503 paraqitje në tetë klube.

Coady e nisi rrugëtimin në akademinë e Liverpoolit si mesfushor. Në vitin 2013 kaloi në huazim te Sheffield United, ndërsa në fund të atij sezoni iu bashkua Huddersfield Town. Në vitin 2015, trajneri Kenny Jackett e transferoi te Wolves, klubi ku ai kaloi pjesën më të madhe dhe më të suksesshme të karrierës.

Nën drejtimin e Nuno Espirito Santos, Coady u zhvendos në qendër të mbrojtjes dhe u bë një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Ai ndihmoi Wolves të fitonte Championshipin në sezonin 2017/18 dhe të rikthehej në Premier League. Në katër sezonet pasuese mungoi në vetëm një ndeshje kampionati.

Si kapiten, udhëhoqi ekipin që përfundoi dy herë në vendin e shtatë në Premier League dhe arriti në çerekfinale të Ligës së Evropës. Në total regjistroi 317 paraqitje dhe shtatë gola për Wolves, përpara se të kalonte në huazim te Evertoni në vitin 2022.

Evertoni nuk e ktheu huazimin në transferim të përhershëm dhe Coady iu bashkua Leicester Cityt në korrik 2023. Më pas luajti për Wrexhamin dhe në huazim te Charltoni. Ndeshja e tij e fundit ishte më 2 maj, kur luajti 61 minuta në humbjen 3:1 të Charltonit ndaj Swanseas.

Me kombëtaren e Anglisë zhvilloi 10 ndeshje ndërmjet viteve 2020 dhe 2022. Ishte pjesë e skuadrës në Euro 2020 dhe në Botërorin 2022, por nuk u aktivizua në asnjërin turne.

Coady u angazhua edhe në stërvitjen e ekipeve të Anglisë U19 dhe U21. Në shtator tregoi se ishte rikthyer te Liverpooli për të punuar me ekipin U21 dhe për të ndjekur nga afër përgatitjen e seancave stërvitore. Krahas këtij angazhimi, ai punon si analist për BBC Radio 5 Live. /BBC

Raporto një pasaktësi