Gara për çmimin Golden Boy 2026 është ngushtuar në 25 finalistë, me Ligën Premier dhe La Ligën që përfaqësohen nga gjithsej 14 lojtarë. Barcelona ka tre kandidatë, më shumë se çdo klub tjetër, ndërsa fituesi pritet të shpallet gjatë nëntorit në Torino.
Çmimi ndahet nga gazeta italiane Tuttosport në bashkëpunim me Transfermarkt. Për këtë edicion kualifikohen futbollistët e lindur nga 1 janari 2006 e tutje, të regjistruar në njërën prej 25 ligave më të forta të Evropës. Vendimin përfundimtar do ta marrë një juri ndërkombëtare prej 50 gazetarësh të mediave kryesore evropiane.
Liga Premier ka tetë përfaqësues. Chelsea përfshihet me Estevaon dhe Jorrel Haton, Bournemouthi me Eli Junior Kroupin dhe Rayanin, ndërsa Brightoni me Luka Vuskovicin dhe Charalampos Kostoulasin. Dy kandidatët e tjerë janë Myles Lewis-Skelly i Arsenalit dhe Ayyoub Bouaddi i Manchester Cityt.
Nga La Liga janë gjashtë finalistë. Pau Cubarsi, Marc Bernal dhe Xavi Espart përfaqësojnë Barcelonën; Yan Diomande dhe Endrick janë kandidatët e Real Madridit, ndërsa Jon Martin është përfshirë nga Real Sociedadi. Lamine Yamal nuk është në garë, pasi e ka fituar më parë këtë çmim, në vitin 2024.
Bundesliga përfaqësohet nga Lennart Karl i Bayern Munichut, Said El Mala i Kölnit, Finn Jeltsch i Stuttgartit dhe dyshja e Borussia Dortmundit, Konstantinos Karetsas e Joane Gadou. Nga Serie A janë përzgjedhur Kerim Alajbegovic i Juventusit, Rodrigo Mora i Romës dhe Franco Mastantuono, i huazuar te Fiorentina nga Real Madridi.
Listën e plotësojnë Warren Zaire-Emery i Paris Saint-Germainit, i vetmi përfaqësues i Ligue 1, si dhe Victor Froholdt i Portos e Gianluca Prestianni i Benficës nga kampionati portugez.
Njëzet prej finalistëve vijnë nga vendet e para të Golden Boy Football Benchmark Index. Pesë vendet shtesë u janë dhënë Morës, Mastantuonos, Espartit, Gadout dhe Kostoulasit. Fituesi i edicionit 2026 do të pasojë Desire Douen, i cili e mori çmimin në vitin 2025. /REAL MADRID
Raporto një pasaktësi
