Xavi Espart ka nënshkruar kontratën e re me Barcelonën deri në vitin 2030. Klubi katalanas njoftoi formalizimin e marrëveshjes të premten, me mbrojtësin 19-vjeçar që hodhi firmën në zyrat e Spotify Camp Nou, në praninë e presidentit Joan Laporta.

Rinovimi ishte paralajmëruar në tetor dhe nënshkrimi përmbylli marrëveshjen për vazhdimin e bashkëpunimit. Ai vjen në një periudhë kur Espart ka fituar hapësirë në skuadrën e Hansi Flickut, ndonëse një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes kundër Real Madridit ia ndërpreu paraqitjet.

Rrugëtimi i tij te Barcelona nisi në verën e vitit 2015, kur iu bashkua La Masias. Në ekipet e moshave u formua si mesfushor. Në ekipin e parë është përshtatur edhe si mbrojtës krahu, rol në të cilin ka marrë më shumë përgjegjësi.

Debutimin me ekipin e parë e bëri në mars, në fundin e ndeshjes së një të tetës së finales së Ligës së Kampionëve në St. James’ Park. Deri në mbyllje të sezonit të kaluar shtoi edhe pesë paraqitje të tjera.

Pas paraqitjeve në fazën përgatitore, Flick vazhdoi t’i jepte mundësi edhe në nisjen e këtij sezoni. Espart u përfshi në organikën e ekipit të parë dhe mori fanellën me numrin 12, duke konkurruar për minuta në krahët e mbrojtjes.

Golin e parë me skuadrën e parë e shënoi në transfertë ndaj Levantes. Më pas realizoi edhe në Paris kundër PSG-së, përpara se dëmtimi në El Clasico ta largonte nga fusha.

Pas nënshkrimit, Espart shprehu përmes kanaleve të klubit dëshirën për ta vazhduar karrierën te Barcelona dhe për të fituar trofe me ekipin e parë, veçanërisht Ligën e Kampionëve. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të përmirësuar lojën e tij dhe për të shfrytëzuar mundësitë që i jepen. /GOAL

Raporto një pasaktësi