UEFA e ka gjobitur Federatën Angleze të Futbollit (FA) me 15 mijë euro për sjellje raciste ose diskriminuese të tifozëve gjatë fitores ndaj Spanjës në Madrid. FA-së iu shqiptua edhe ndalimi i shitjes së biletave për një ndeshje jashtë fushe, por zbatimi i kësaj mase u pezullua me kusht për dy vjet.

Sipas BBC Sport, akuza lidhet me thirrje antikatolike dhe antiirlandeze nga sektori i tifozëve mysafirë. Ndalimi do të hynte në fuqi në rast të një shkeljeje tjetër gjatë periudhës së provës, duke i lënë tifozët anglezë pa bileta për një transfertë.

FA i dënoi thirrjet si të papranueshme dhe thellësisht fyese. Federata njoftoi se do të bashkëpunojë me policinë për identifikimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave ndaj tyre. Policia është e pranishme në të gjitha ndeshjet e Anglisë, brenda dhe jashtë fushe.

Edhe para takimit në Madrid, çështja e racizmit kishte qenë pjesë e diskutimeve. Trajneri Thomas Tuchel kishte thënë se do t’ua rikujtonte lojtarëve protokollin antiracizëm të UEFA-s, ndonëse kishte theksuar se nuk priste incidente.

Në fushë, Anglia fitoi 3:2 në stadiumin Metropolitano dhe e mbylli në vendin e parë Grupin 3 të Ligës A në Ligën e Kombeve. Harry Kane shënoi me penallti para pushimit, ndërsa Ezri Konsa dhe Ben White e çuan epërsinë në 3:0 gjatë pjesës së dytë.

Përjashtimi i Elliot Andersonit pas një ndërhyrjeje ndaj Lamine Yamalit i dha Spanjës mundësinë të rikthehej në lojë. Mikel Oyarzabal realizoi penalltinë, kurse Nico Williams shënoi golin e dytë të vendasve.

Anglia e ruajti epërsinë deri në fund dhe siguroi statusin e ekipit bartës për fazën eliminatore të pranverës. Spanja përfundoi e dyta në grup dhe gjithashtu u kualifikua në çerekfinale. /BBC

Raporto një pasaktësi