Zvicra e mposhti Skocinë 4:0 në St. Gallen, në Ligën e Kombeve, në natën kur Andy Robertson u bë rekordmeni i paraqitjeve për kombëtaren skoceze të meshkujve. Skocezët përfunduan në vendin e tretë në Grupin B1, pas Zvicrës dhe Sllovenisë, me shtatë pikë nga 18 të mundshmet dhe mbetën jashtë play-off-it për ngjitje.

Kapiteni Robertson regjistroi paraqitjen e 103-të me kombëtaren. Ai kaloi Kenny Dalglishin në krye të listës së futbollistëve me më së shumti ndeshje për përfaqësuesen e meshkujve të Skocisë.

Mysafirët krijuan mundësi në pjesën e parë, por Zvicra kaloi në epërsi në minutën e 22-të, kur Lewis Ferguson e dërgoi topin në portën e vet. Aaron Hickey iu afrua menjëherë barazimit me një goditje me kokë pas harkimit të Robertsonit, ndërsa më pas u detyrua të largohej për shkak të një dëmtimi. Para pushimit, John McGinn goditi me kokë drejt portierit.

Fillimi i pjesës së dytë ia vështirësoi më tej Skocisë mundësinë për t’u rikthyer. Në minutën e 47-të, Winsley Boteli preku i fundit topin pas një goditjeje të Samuel Ballet dhe dyfishoi epërsinë. Katër minuta më vonë, Boteli shërbeu për Alvyn Sanches, i cili shënoi golin e tretë.

Angus Gunn më pas ndali një tentativë të Ballet, ndërsa Luke Graham bllokoi goditjen pasuese të Zeki Amdounit. Në anën tjetër, Scott McTominay shpërdoroi një mundësi pas harkimit të Kieran Tierneyt. Amdouni vendosi rezultatin përfundimtar në minutën e 89-të, me një goditje që u devijua nga Graham.

Skocia e përfundoi takimin me vetëm një goditje në portë. Kristi Montgomery hyri në vend të Fergusonit në minutën e 85-të, duke bërë debutimin me kombëtaren.

Pas ndeshjes, Robertson kërkoi reagim të menjëhershëm dhe theksoi se skuadra nuk kishte kohë për të pritur përmirësimin. Sebastien Pocognoli, përkundrazi, vlerësoi se rezultati nuk e pasqyronte plotësisht lojën dhe se kishte parë elemente pozitive. Trajneri belg e mbylli fushatën e parë si pasues i Steve Clarke me dy fitore në gjashtë ndeshje, të dyja ndaj Maqedonisë së Veriut. /BBC

Raporto një pasaktësi