Franco Foda ka zgjedhur rreshtimin 3-5-2 për përballjen e Kosovës me Irlandën në Dublin, duke aktivizuar Fisnik Asllanin nga fillimi dhe duke lënë Milot Rashicën në stol. Ndeshja e fundit e grupit në Ligën e Kombeve është paraparë të nisë në orën 20:45, në stadiumin “Aviva”.
Kosova hyn në këtë takim në vendin e dytë të Grupit 3 të Ligës B, me gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda. Barazimi i mjafton për ta ruajtur këtë pozitë dhe për të siguruar pjesëmarrjen në plejofin për ngjitje në Ligën A. Qëndrimi në Ligën B tashmë është siguruar.
Në portë rikthehet Arijanet Muric në vend të Amir Shaipit. Treshja e mbrojtjes përbëhet nga Lindrit Kamberi, Kreshnik Hajrizi dhe Ilir Krasniqi, ndërsa Mërgim Vojvoda e Dion Gallapeni janë vendosur në krahë.
Elvis Rexhbeçaj, Leon Avdullahu dhe Lindon Emërllahu formojnë mesfushën. Në sulm, Asllani do të jetë përkrah kapitenit Vedat Muriqi.
Irlanda e nis me Kelleher; Abankwah, Egan, O’Shea, Scales, Manning; Azaz, Molumby; Moylan, Idah dhe Parrott. Vendasve u duhet fitorja për ta kaluar Kosovën në renditje.
Kosova e kishte fituar 1:0 përballjen e parë mes dy kombëtareve. Para xhiros përmbyllëse, Austria kryeson grupin me 11 pikë, ndërsa Izraeli është i fundit me tri. Izraeli dhe Austria takohen në ndeshjen tjetër të grupit. /TOPSPORTI
Raporto një pasaktësi