Nike do të furnizojë topat zyrtarë të Ligës së Kampionëve nga sezoni 2027/28, duke zëvendësuar Adidasin pas 26 vjetësh. Marrëveshja e konfirmuar nga UC3 do të zgjasë katër sezone, deri në vitin 2031, dhe përfshin edhe garat e tjera të UEFA-s për klubet e meshkujve.

Procesi i përzgjedhjes nisi në mars të vitit 2026, kur UC3 dhe agjencia Relevent Football Partners hapën tenderin. UC3 është sipërmarrja e përbashkët e UEFA-s dhe organizatës së Klubeve Evropiane të Futbollit, EFC, që administron të drejtat komerciale të garave evropiane për klube.

Përveç Ligës së Kampionëve, kompania amerikane do të sigurojë topat për Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës. Për herë të parë, të tria garat kryesore të UEFA-s për klubet e meshkujve do të kenë të njëjtin furnizues zyrtar topash. Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës përdorin topa të markës Kipsta të Decathlonit.

Kontrata përfshin gjithashtu Superkupën e Evropës, Ligën e të Rinjve të UEFA-s dhe Ligën e Kampionëve në futsall.

Për Nike, kjo shënon rikthimin në Ligën e Kampionëve pas më shumë se dy dekadash. Kompania kishte furnizuar topat e garës në fund të viteve 1990, përpara se Adidas ta merrte kontratën në vitin 2001.

Sezoni 2026/27 do të jetë i fundit i Adidasit si furnizues i kësaj gare. Topi i Adidasit do të përdoret edhe në finalen e vitit 2027, në stadiumin Metropolitano të Madridit.

Camilo Andrade, drejtues i Nike Football, e paraqiti marrëveshjen si një angazhim afatgjatë dhe theksoi se zhvillimi i topave do të mbështetet edhe te mendimet e sportistëve. Hollësitë për dizajnet do të bëhen publike më vonë. /UEFA

Raporto një pasaktësi