Shqipëria U-21 do t’i mësojë më 26 nëntor rivalët e fazës së grupeve të Kampionatit Europian 2027. Shorti do të hidhet të enjten, në orën 18:30, në Qendrën e Kongreseve Sava në Beograd, ndërsa kuqezinjtë e kanë të përcaktuar vendin në grupin B.

Turneu do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027 në Shqipëri dhe Serbi. Dy vendeve bashkorganizatore do t’u bashkohen 14 përfaqësuese të kualifikuara, për të formuar katër grupe me nga katër skuadra.

Për shortin, 16 pjesëmarrëset janë ndarë në katër vazo sipas renditjes së koeficientëve të UEFA-s për kombëtaret U-21. Secili grup do të ketë nga një përfaqësuese prej çdo vazoje, me dy vendet e para që sigurojnë kalimin në çerekfinale.

Në vazon e parë janë Spanja, Gjermania, Anglia dhe Portugalia. Anglia hyn në këtë edicion si kampione në fuqi, pas titullit të fituar më 2025, dhe do të synojë trofeun e tretë radhazi, pas suksesit edhe në vitin 2023.

Vazoja e dytë përbëhet nga Franca, Italia, Holanda dhe Kroacia, ndërsa në të tretën janë Polonia, Greqia, Finlanda dhe Norvegjia. Shqipëria do të ketë përballë nga një skuadër prej secilës nga këto tri vazo.

Në vazon e katërt, krahas Shqipërisë dhe Serbisë, janë Belgjika dhe Çekia. Serbia është caktuar në pozicionin A1 dhe Shqipëria në B1, ndaj Belgjika dhe Çekia do të vendosen në grupet C dhe D. Kështu, asnjëra prej tyre nuk mund të jetë kundërshtare e kuqezinjve në fazën e grupeve.

Skema e fazës me eliminim parashikon përballje mes grupeve A dhe C në dy çerekfinale, ndërsa grupet B dhe D do të kryqëzohen në dy të tjerat. Nëse kalon grupin, Shqipëria do të ndeshet në çerekfinale me një përfaqësuese të grupit D.

Ndeshjet në Shqipëri do të luhen në Arenën Kombëtare dhe Arenën e Demave në Tiranë, në Elbasan Arena dhe në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Katër stadiumet e tjera të turneut ndodhen në Beograd, Baçka Topolë, Loznicë dhe Leskovac. /UEFA

Raporto një pasaktësi