Brentfordi e mposhti Evertonin me rezultat 4:0 të hënën në mbrëmje në stadiumin “Gtech Community”, në Premier League. Keane Lewis-Potter shënoi dy herë në pjesën e parë, ndërsa Vitaly Janelt dhe Fabio Carvalho e thelluan epërsinë pas pushimit ndaj mysafirëve, të cilët mbetën me dhjetë lojtarë para përfundimit të pjesës së parë.
Vendasit rrezikuan fillimisht përmes Kayodes, i cili goditi jashtë nga brenda zonës. Epërsia erdhi më pas nga Lewis-Potter: pas një pasimi të Jaidon Anthonyt, goditja e tij u devijua dhe përfundoi në rrjetën e Jordan Pickfordit.
Lewis-Potter realizoi sërish pas një goditjeje të lirë që mbrojtja e Evertonit nuk arriti ta largonte. Ai përfitoi nga topi i kthyer dhe, edhe këtë herë, një devijim e nxori jashtë loje portierin mysafir, duke i dhënë Brentfordit epërsi prej dy golash.
Në minutën e 40-të, Evertoni humbi edhe kapitenin James Tarkowski. Gjyqtari Craig Pawson fillimisht e ndëshkoi me karton të verdhë për ndërhyrjen ndaj Yehor Yarmoliukut, por pas shqyrtimit në VAR e ndryshoi vendimin në të kuq. Kontakti me taka në kërcirin e kundërshtarit u vlerësua si ndërhyrje që rrezikonte sigurinë e tij.
David Moyes aktivizoi Jack Grealishin në fillim të pjesës së dytë, por Evertoni nuk arriti ta ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Në minutën e 67-të, Janelt goditi nga larg dhe e dërgoi topin në këndin e sipërm për golin e tretë të vendasve.
Carvalho, i futur nga stoli, shënoi golin e katërt në kohën shtesë. Ai reagoi nga afërsia pas një goditjeje nga këndi, duke e mbyllur me gol rikthimin nga lëndimi.
Fitorja e ngjiti Brentfordin në vendin e gjashtë, një pikë përpara Evertonit, që zbriti në të nëntin. Humbja erdhi në ndeshjen e 593-të të Moyesit në krye të Evertonit, më shumë se çdo trajner tjetër i klubit, dhe pas një serie me tri fitore në katër takime kampionale. /GOAL
Raporto një pasaktësi