UEFA ka caktuar sllovakun Ivan Kruzliak gjyqtar kryesor të ndeshjes Kosovë–Izrael, që do të zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor 2026, në orën 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Përballja i përket xhiros së pestë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve 2026/27.
Kruzliak do të ndihmohet nga bashkëkombësit Branislav Hancko dhe Jan Pozor si gjyqtarë anësorë. Peter Kralović është caktuar gjyqtar i katërt, duke plotësuar katërshen sllovake që do ta drejtojë takimin në fushë.
Përgjegjësinë për sistemin VAR do ta ketë skocezi Andrew Dallas. Ndihmësi i tij do të jetë Martin Dohal nga Sllovakia, i cili do të kryejë detyrën e AVAR-it.
Sipas TopSportit, Kruzliak është i vetmi gjyqtar sllovak në kategorinë elitare në vitin 2026. Ai ka qenë pjesë e EURO 2024 dhe drejton rregullisht ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës.
Kosova hyn në këtë takim në vendin e dytë të grupit me pesë pikë pas katër ndeshjeve, po aq sa Republika e Irlandës. Austria kryeson me tetë pikë, ndërsa Izraeli renditet i fundit me dy. Në përballjen e parë mes Kosovës dhe Izraelit, më 1 tetor, skuadrat barazuan pa gola.
Fushata e Kosovës nisi me fitoren 1:0 ndaj Republikës së Irlandës më 24 shtator, përpara humbjes 3:1 në udhëtim te Austria. Pas barazimit me Izraelin, Kosova mori edhe një pikë ndaj austriakëve, me rezultatin 1:1 më 4 tetor.
Në takimin tjetër të grupit më 14 nëntor, Austria pret Republikën e Irlandës. Kosova do ta mbyllë fazën e ligës më 17 nëntor në udhëtim ndaj irlandezëve, ndërsa Izraeli do të përballet me Austrinë. /TOPSPORTI
Raporto një pasaktësi
