Ermal Krasniqi është liruar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës për shkak të lëndimit dhe do të mungojë në ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Irlandës, më 14 dhe 17 nëntor.
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se anësori i Amedsporit iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore. Pas kontrolleve, stafi mjekësor vlerësoi se atij i duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar dhe se nuk mund të arrijë gatishmërinë e plotë për këto dy takime.
Krasniqi do të kthehet në Turqi, ku procesin e rikuperimit do ta vazhdojë nën kujdesin e stafit mjekësor të klubit të tij.
Ai i shtohet Lumbardh Dellovës, gjithashtu futbollist i Amedsporit, i cili po ashtu nuk ka arritur të rikuperohet për këto përballje.
Kosova do ta presë Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim në orën 15:00. Më pas, më 17 nëntor, do të luajë në udhëtim ndaj Irlandës në Dublin. /TELEGRAFI
Raporto një pasaktësi
