Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Sylejman Havollit, ish-futbollist i Flamurtarit dhe më pas gjyqtar. Në mesazhin e saj, FFK-ja ka vlerësuar kontributin e tij në futbollin kosovar, veçanërisht gjatë viteve të vështira të sportit në vend.

Havolli luajti për Flamurtarin, ndërsa pas përfundimit të karrierës si futbollist mbeti i angazhuar në futboll, duke kaluar në rolin e gjyqtarit.

Gjatë viteve ’90, ai drejtoi ndeshje në garat që organizoheshin në kushte të vështira nën okupim. Së bashku me gjyqtarë dhe punëtorë të tjerë sportivë, ndihmoi në vazhdimin e garave në Kosovë.

FFK-ja ua drejtoi ngushëllimet familjes Havolli, të afërmve, miqve, ish-bashkëlojtarëve, kolegëve dhe komunitetit sportiv. Federata theksoi se veprimtaria e tij, si futbollist dhe si gjyqtar, do të mbetet pjesë e kujtesës së futbollit të Kosovës. /TELEGRAFI

Raporto një pasaktësi