Një gjykatë në Madrid ka caktuar 25 nëntorin për seancën e pajtimit mes Barcelonës dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, lidhur me deklaratat e tij për rastin Negreira. Procedura është hap paraprak ndaj një kallëzimi të mundshëm penal për shpifje, me të cilin klubi katalanas ka paralajmëruar se do të vazhdojë nëse nuk arrihet marrëveshje.
Barcelona kërkon që Perez të tërheqë deklaratat që, sipas klubit, kanë cenuar emrin dhe reputacionin e tij. Përplasja lidhet me fjalët e presidentit madrilen në konferencën për shtyp të 12 majit dhe në një intervistë të mëvonshme, ku ai vuri në dyshim sukseset sportive të Barcelonës gjatë periudhës së hetuar.
Në qendër të deklaratave ishte çështja e pagesave të Barcelonës ndaj Jose Maria Enrique Negreiras, ish-zëvendëspresident i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Spanjë. Perez pretendoi se Real Madridit i ishin marrë padrejtësisht shtatë tituj kampioni dhe se numri i titujve të ligës të fituar gjatë drejtimit të tij mund të kishte qenë 14, në vend të shtatë.
Ai pretendoi gjithashtu se Barcelona përfitonte vazhdimisht nga vendimet e arbitrave dhe kërkoi ndërhyrjen e UEFA-s. Në atë periudhë, Perez njoftoi se Real Madridi po përgatiste një dosje për t’ia paraqitur organit drejtues të futbollit evropian.
Drejtuesit e Barcelonës i kundërshtuan këto akuza. Zëvendëspresidenti Rafa Yuste e akuzoi Perezin se po përdorte shpifjen për të destabilizuar klubin dhe paralajmëroi ndjekjen e çështjes në rrugë gjyqësore.
Më 12 qershor, Barcelona paraqiti kërkesën për pajtim, duke përcaktuar se do të ndërmerrte hapin penal nëse procedura dështonte ose Perez nuk pranonte të tërhiqte deklaratat. Klubi iu drejtua edhe LaLigës, Federatës Spanjolle të Futbollit dhe Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, duke kërkuar reagim ndaj deklaratave që i konsideronte cenuese për garën, paanësinë e saj dhe arbitrat.
Real Madridi, ndërkaq, njoftoi më 17 qershor se kishte dorëzuar në UEFA një kërkesë për masa disiplinore ndaj Barcelonës lidhur me rastin Negreira. /GOAL
Raporto një pasaktësi