Ukraina e nisi me fitore edicionin 2026/27 të Ligës së Kombeve, duke mposhtur Hungarinë 1:0 në “Puskas Arena”. Takimi i raundit të parë në Grupin B të nivelit të dytë përfundoi me një përleshje mes lojtarëve, pas përjashtimit të ukrainasit Oleksandr Nazarenko në kohën shtesë.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Danylo Sikan, i cili u rikthye në përfaqësuese pas më shumë se tre vjetësh. Për sulmuesin, ky ishte edhe goli i parë me Ukrainën që nga shtatori i vitit 2021, duke e shoqëruar rikthimin me tri pikë në transfertë.

Incidenti në fund nisi në minutën e dytë të shtesës, kur Nazarenko ndërhyri rrëshqitshëm ndaj Rajmund Tothit. Gjyqtari anglez Jarred Gillett i tregoi kartonin e dytë të verdhë dhe e përjashtoi nga loja.

Pas ndërhyrjes, lojtarët e të dyja skuadrave u afruan në vendin e faullit. Debati mes tyre kaloi në përleshje, ku u përfshinë edhe pjesëtarë të stafeve nga pankinat. Përplasja më pas u zhvendos drejt tribunave, prej nga tifozët hodhën objekte.

Gillettit iu deshën disa minuta për të vendosur sërish kontrollin. Në minutën e 94-të, ai ndëshkoi me kartonë të verdhë katër lojtarë: kapitenin hungarez Dominik Szoboszlai dhe Milos Kerkezin, si dhe ukrainasit Viktor Tsygankov e Mykola Matvienko.

Pas takimit, Szoboszlai e komentoi përplasjen në një prononcim për M4 Sport. Kapiteni i Hungarisë e cilësoi si një incident që ndodh në futboll dhe e paraqiti reagimin e skuadrës së tij si shenjë se ajo nuk i frikësohet kundërshtarit.

Përzgjedhësi hungarez Marco Rossi tha se nuk e kishte parë të gjithë incidentin. Ai sugjeroi se provokimet mund të kishin ndikuar në përshkallëzimin e përplasjes. /UEFA

Raporto një pasaktësi