Lumbardh Dellova është liruar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës dhe nuk do të luajë kundër Izraelit dhe Irlandës në Ligën e Kombeve. Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ekzaminimet mjekësore kanë treguar që qendërmbrojtësi nuk është i gatshëm për këto dy përballje.
Dellova kishte dashur të ishte në dispozicion të ekipit, por gjendja fizike nuk ia ka mundësuar paraqitjen. Përzgjedhësi Franco Foda mbetet kështu pa një alternativë në mbrojtje për dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve.
Sipas Telegrafit, mbrojtësi 27-vjeçar ishte lënduar gjatë tetorit në ndeshjen e Amedsporit kundër Genclerbirligit në Superligën e Turqisë. Klubi kishte konfirmuar lëndimin pas ekzaminimeve me rezonancë magnetike dhe kishte nisur trajtimin, ndërsa rikuperimi ishte parashikuar të zgjaste rreth një muaj.
Kosova ka edhe mungesa të tjera për shkak të lëndimeve. Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani nuk do të jenë në dispozicion pas problemeve të pësuara me klubet e tyre. Albian Hajdari dhe Vesel Demaku nuk janë ftuar, pasi vazhdojnë rikuperimin. /TELEGRAFI
Raporto një pasaktësi