Përfaqësuesja e Irlandës caktoi orare të reja për konferencën për shtyp dhe stërvitjen më 26 shtator 2026, pas shtyrjes së të dyja aktiviteteve para përballjes me Izraelin. Konferenca u planifikua për orën 15:30, ndërsa stërvitja për 15:45, sipas orës lokale në Hungari.
Trajneri Heimir Hallgrimsson dhe një futbollist duhej të dilnin para gazetarëve në orën 10:15, përpara se skuadra të niste stërvitjen në orën 11:00. Fillimisht, një zyrtar i UEFA-s njoftoi gazetarët se konferenca do të zhvillohej pas stërvitjes, por më pas u shty edhe seanca stërvitore.
Sipas BBC-së, futbollistët ndërkohë po zhvillonin një takim në hotelin e ekipit. Ata nisën të dilnin nga salla e takimit përpara se të bëheshin të ditura oraret e reja. Konferenca, e parashikuar fillimisht në stadium, u zhvendos në hotelin ku qëndronte përfaqësuesja.
Ndryshimet në program erdhën mes thirrjeve në Irlandë për të mos luajtur ndaj Izraelit për shkak të luftës në Gaza. Fushata për bojkot është organizuar nga grupi Irish Sport for Palestine dhe ka marrë mbështetjen e ish-trajnerit të Irlandës, Brian Kerr, si dhe të ish-përfaqësuesit James McClean.
Çështja ishte diskutuar edhe brenda skuadrës. Futbollistët zhvilluan një takim të premten për të shprehur qëndrimet e tyre për të dyja ndeshjet me Izraelin. Pas humbjes ndaj Kosovës, mesfushori Jason Knight ishte shprehur kundër zhvillimit të takimit, ndërsa Chiedozie Ogbene kishte kërkuar që publiku të mos e vendoste presionin mbi lojtarët.
Përballja e grupit B3 të Ligës së Kombeve ishte planifikuar për të dielën, më 27 shtator, në Debrecen të Hungarisë, me fillim në orën 20:45. Takimi i kthimit ishte caktuar për më 4 tetor në Baçka Topola të Serbisë.
Irlanda e kishte nisur këtë edicion të Ligës së Kombeve me humbje. Të enjten, skuadra e Hallgrimssonit ishte mposhtur 1:0 nga Kosova në Prishtinë. /BBC
Raporto një pasaktësi