Interi e mposhti Feyenoordin 3:0 në stadiumin “De Kuip” të Rotterdamit, në xhiron e katërt të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Me golat e Yann Bisseckut, Francesco Pio Espositos dhe Piotr Zielinskit, skuadra e Cristian Chivut regjistroi fitoren e dytë dhe arriti në gjashtë pikë, ndërsa vendasit mbetën me tri.

Italianët kaluan në epërsi në minutën e tetë. Bisseck mori topin në kufi të zonës, u kthye dhe goditi fuqishëm me të majtën, duke mposhtur portierin Ernst. Interi vazhdoi të krijonte raste edhe pas golit: goditjen e Dimarcos në minutën e 14-të e priti portieri, ndërsa Marcus Thuram provoi pesë minuta më vonë.

Feyenoordi e pati rastin e parë serioz pas gjysmë ore lojë. Hadj Moussa depërtoi mes kundërshtarëve dhe goditi nga një kënd i vështirë, por Josep Martinez ndërhyri për ta ruajtur epërsinë e mysafirëve.

Në minutën e 34-të, Interi e dyfishoi epërsinë. Pas një aksioni të Djed Spence nga e djathta dhe një devijimi, topi mbërriti te Esposito. Sulmuesi fitoi duelin në ajër dhe shënoi me kokë nga afërsia, me topin që preku traversën përpara se të përfundonte në rrjetë.

Zielinski kërcënoi dy herë para pushimit, por golin e gjeti në minutën e 54-të. Mesfushori polak përparoi me top dhe lëshoi një goditje të fortë me të majtën për rezultatin 3:0, duke ia vështirësuar edhe më shumë punën skuadrës vendase.

Feyenoordi bëri disa zëvendësime në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e takimit, por nuk arriti ta ngushtonte diferencën. Në anën tjetër, Esposito e dërgoi sërish topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Interi e menaxhoi epërsinë deri në përfundim, pa pësuar gol. Ndeshjen e ardhshme në këtë garë do ta zhvillojë më 25 nëntor në “San Siro”, kundër Stuttgartit. /INTER

Raporto një pasaktësi