Kombëtarja shqiptare e vajzave do të përballet me Serbinë, Belgjikën dhe Rumaninë në grupin B1 të Ligës së Kombeve 2027. Shorti i hedhur më 3 nëntor 2026 në Nyon të Zvicrës përcaktoi kundërshtaret e Shqipërisë për edicionin e tretë të këtij kompeticioni.
Shqipëria hyri në short pasi ishte renditur mes dy skuadrave më të mira të vendeve të treta në Ligën B gjatë fazës së kualifikimeve europiane të vitit 2026. Nga kundërshtaret e saj, Serbia vjen pas rënies nga Liga A, Belgjika ishte renditur e dyta në grupin e saj të Ligës B, ndërsa Rumania siguroi ngjitjen si fituese grupi në Ligën C.
Faza e grupeve do të luhet me sistem vajtje-ardhje. Shqipëria do të zhvillojë gjashtë takime, nga një në shtëpi dhe një në transfertë ndaj secilës kundërshtare. Liga B përbëhet nga 16 kombëtare, të ndara në katër grupe.
Dy ndeshjet e para janë planifikuar në dritaren ndërkombëtare nga 23 shkurti deri më 6 mars 2027. Takimet e treta dhe të katërta do të zhvillohen nga 13 deri më 24 prill, ndërsa faza e grupeve do të mbyllet me dy sfidat e parashikuara nga 7 deri më 15 qershor.
Vendi i parë në grup siguron ngjitjen e drejtpërdrejtë në Ligën A për fazën kualifikuese të Europianit 2029. Skuadra e vendit të dytë do të ketë një tjetër mundësi për ngjitje, përmes një përballjeje vajtje-ardhje me një nga ekipet që përfundojnë të tretat në grupet e Ligës A.
Për skuadrat e vendit të tretë në Ligën B, ruajtja e kategorisë varet nga renditja krahasuese. Dy më të mirat do të luajnë në play-off me dy skuadrat më të mira të vendeve të dyta të Ligës C. Dy të tjerat do të bien drejtpërdrejt, bashkë me katër ekipet që përfundojnë të fundit në grupe.
Ndeshjet e play-off-it për ngjitje dhe rënie janë caktuar për periudhën 4–12 tetor 2027. Shorti i këtyre përballjeve është parashikuar për më 18 qershor, me datën ende për t’u konfirmuar. /FSHF
Raporto një pasaktësi