Anglia do të jetë pa Cole Palmer, Declan Rice, Marcus Rashford, Kobbie Mainoo dhe Tino Livramento për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve. Pesë futbollistët janë tërhequr nga grumbullimi për shkak të dëmtimeve, ndërsa Thomas Tuchel ka ftuar mesfushorët James Garner të Evertonit dhe Morgan Gibbs-White të Nottingham Forestit.

Dy të ftuarit pritet t’i bashkohen skuadrës të martën në qendrën stërvitore St. George’s Park. Tërheqja e pesë lojtarëve është miratuar nga stafi mjekësor i kombëtares në bashkëpunim me stafet e klubeve përkatëse.

Për Palmerin, një dëmtim i lehtë e ndërpret rikthimin në listën e Anglisë, pasi Tuchel e kishte lënë jashtë skuadrës për Botërorin 2026. Lojtari i Chelseat kishte luajtur të gjithë ndeshjen në humbjen 3:0 ndaj Brentfordit të premten. Këtë sezon ai ka shënuar katër gola dhe ka dhënë dy asistime, duke qenë titullar në gjashtë nga shtatë ndeshjet e klubit.

Rashford dhe Mainoo iu nënshtruan vlerësimeve mjekësore te Manchester United pasi u zëvendësuan në fund të barazimit 1:1 me Fulhamin të dielën. Të dy kanë nisur si titullarë katër nga pesë ndeshjet e Unitedit në Premier League këtë sezon.

Rice kishte luajtur të gjithë takimin në humbjen 3:0 të Arsenalit ndaj Brightonit. Livramento, ndërkaq, ishte tërhequr nga skuadra e Newcastle United para përballjes së të shtunës me Hullin për shkak të një dëmtimi në gju.

Gibbs-White, 26 vjeç, ka gjashtë paraqitje me Anglinë dhe ishte pranë përfshirjes në listën fillestare, siç kishte shpjeguar Tuchel të premten. Paraqitja e tij më e fundit me kombëtaren ishte në fitoren 3:0 ndaj Uellsit në tetor 2025. Garner i ka zhvilluar të dyja ndeshjet e tij me ekipin e parë të Anglisë në mars.

Programi i Anglisë nis më 26 shtator 2026 kundër Spanjës në Wembley. Më pas pasojnë transfertat ndaj Çekisë më 29 shtator dhe Kroacisë më 3 tetor, përpara se skuadra e Tuchelit ta presë Çekinë më 6 tetor. /BBC

Raporto një pasaktësi