UEFA ka caktuar gjyqtarin rumun Radu Petrescu për ndeshjen Izrael–Kosovë, të planifikuar për të enjten, më 1 tetor 2026, në orën 20:45. Takimi i Grupit B3 të Ligës së Kombeve do të zhvillohet në stadiumin “Nagyerdei” në Debrecen të Hungarisë.
Delegimi vjen pas disa zhvillimeve që kanë prekur karrierën e 43-vjeçarit në Rumani, përfshirë një pezullim për 12 ndeshje. Në shtator, Komisioni Qendror i Gjyqtarëve propozoi gjithashtu mospërfshirjen e tij në listën e FIFA-s për vitin 2027.
Sipas Telegrafit, në vend të Petrescut është propozuar Catalin Roman. FIFA pritet ta miratojë listën përfundimtare në dhjetor, ndërsa hyrja e saj në fuqi është parashikuar për 1 janar 2027.
Pezullimi lidhej me një vendim në ndeshjen Petrolul–FC Arges të sezonit të kaluar. Kur rezultati ishte 1:1, Petrescu ndali një aksion të FC Arges, duke akorduar faull në sulm para se skuadra të shënonte. Për shkak të ndërprerjes së lojës, VAR-i nuk mund të ndërhynte, ndërsa Petroluli e fitoi takimin 2:1.
Digi Sport kishte raportuar në shkurt për dënimin prej 12 ndeshjesh pas atij episodi. Petrescu u rikthye në delegime pas 10 ndeshjesh. Në korrik, ai dhe Andrei Chivuleten nuk i përfunduan testet fizike para nisjes së sezonit të ri të Superligës rumune.
Petrescu ka statusin e gjyqtarit ndërkombëtar prej vitit 2012. Përvoja e tij përfshin edhe drejtimin e takimeve në grupet e Ligës së Kampionëve. Në gusht, UEFA e kishte caktuar për ndeshjen Motherwell–Freiburg në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.
Në takimin Izrael–Kosovë, asistentë të tij do të jenë Radu Ghinguleac dhe Cosmin Bojan, ndërsa Florin Andrei do të jetë gjyqtari i katërt. Për sistemin VAR janë caktuar Catalin Popa dhe Ovidiu Hategan. /TELEGRAFI
Raporto një pasaktësi
