Juan Mata njoftoi më 18 nëntor 2026 pensionimin nga futbolli profesionist në moshën 38-vjeçare. Ish-mesfushori i Spanjës, Chelseat dhe Manchester Unitedit e mbylli karrierën pas rreth dy dekadash, me tituj të fituar në nivel klubesh dhe me kombëtaren.
Për njoftimin e lamtumirës, Mata zgjodhi zhveshtoren e Juventud Estadios në Oviedo, aty ku kishte nisur të luante futboll të organizuar në moshën dhjetëvjeçare, raporton Goal. Në një video të shkurtër, ai falënderoi njerëzit që e kishin shoqëruar gjatë karrierës dhe shpjegoi se do të mbetej i lidhur me futbollin edhe pas largimit nga fusha.
Mata kaloi nëpër ekipet e moshave të Real Madridit përpara se t’i bashkohej Valencias në vitin 2007. Me klubin spanjoll fitoi Kupën e Mbretit më 2008, ndërsa në gusht të vitit 2011 u transferua te Chelsea, ku pasuan trofetë në garat evropiane për klube.
Me skuadrën londineze fitoi Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Anglisë në vitin 2012, si dhe Ligën e Evropës më 2013. Në janar të vitit 2014 kaloi te Manchester Unitedi, ku qëndroi deri më 2022 dhe shtoi në koleksion edhe një tjetër trofe të Ligës së Evropës, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës.
Në nivel ndërkombëtar, Mata zhvilloi 41 ndeshje me Spanjën. Ai ishte pjesë e përfaqësueses që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian më 2012. Në finalen e Evropianit shënoi në fitoren 4:0 ndaj Italisë.
Pas largimit nga Manchester Unitedi, karriera e çoi te Galatasaray në Turqi dhe Vissel Kobe në Japoni. Më pas luajti në Australi për Western Sydney Wanderers dhe Melbourne Victory, klubin e fundit të karrierës së tij.
Në mesazhin e pensionimit, Mata theksoi se kënaqësia e stërvitjeve dhe e ndeshjeve e kishte mbajtur aktiv gjatë gjithë këtyre viteve. Ai e paraqiti largimin si fundin e angazhimit profesionist në fushë, por jo të lidhjes së tij me sportin. /BBC
Raporto një pasaktësi