FIFA ka akuzuar UEFA-n se po zhvillon një fushatë dezinformimi kundër presidentit Gianni Infantino dhe se po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të organizatës. Akuzat janë pjesë e një përgjigjeje gjyqësore të dorëzuar të hënën mbrëma në Distriktin Jugor të Floridës, në kuadër të përplasjes për projektin tashmë të braktisur FIFA Forward Enterprise (FFE).
Projekti do t’u mundësonte investitorëve privatë të blinin pjesëmarrje në të drejtat tregtare të garave të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës. Ai shkaktoi kundërshtime të forta dhe më pas u tërhoq. Infantino e kishte mbrojtur nismën si një mënyrë për të siguruar të ardhura shtesë për futbollin.
Në gusht, UEFA iu drejtua gjykatës amerikane për të kërkuar qasje në prova dhe dokumente të FIFA-s, duke paralajmëruar mundësinë e një kallëzimi penal në Zvicër. Organizata evropiane e akuzoi Infantinon për keqmenaxhim kriminal dhe pretendoi se ai kishte promovuar një çmim jashtë vlerës së tregut për përfitim personal.
FIFA i hodhi poshtë këto pretendime, duke argumentuar se kërkesa e UEFA-s përmbante deklarata të rreme ose çorientuese. Në përgjigjen e saj, ajo mohoi se Infantino kishte kërkuar të përfitonte personalisht nga FFE-ja dhe i cilësoi si të pabaza pretendimet për shkelje ligjore apo etike.
Kundërshtimi i FIFA-s përfshin edhe shtrirjen e kërkesës për dokumente, të cilën e konsideron tepër të gjerë. Organizata botërore pretendon gjithashtu se UEFA po i përdor procedurat ligjore me keqbesim dhe për ta vënë nën presion presidentin e saj.
Përplasja ka përfshirë edhe drejtues të tjerë të futbollit. Kryetarja e Federatës Angleze dhe nënpresidentja e FIFA-s, Debbie Hewitt, i kërkoi Infantinos që të bënte publike të gjithë dokumentacionin e projektit dhe që FFE-ja t’i nënshtrohej një shqyrtimi të pavarur.
Infantino do të kandidojë për herë të katërt në zgjedhjet e marsit 2027. Kundërshtarët e tij kanë afat deri më 18 nëntor për të gjetur një kandidat alternativ. /BBC
Raporto një pasaktësi
