Friedkin Group po shqyrton mundësinë e shitjes së Evertonit, më pak se dy vjet pasi mori kontrollin e klubit anglez. Në një deklaratë, grupi amerikan njoftoi se po vlerëson alternativa të reja investimi, përfshirë shitjen e një pakete aksionesh që i jep blerësit kontrollin e klubit.
Pronarët e kanë kushtëzuar një ndryshim të mundshëm kontrolli me përshtatshmërinë e investitorëve për të ardhmen e Evertonit. Ata u zotuan që, gjatë kërkimit të investimeve, të ruajnë mbështetjen për skuadrën dhe punën në komunitetet ku vepron klubi.
Blerja e Evertonit u përfundua në vitin 2024, me një marrëveshje që besohet se vlente mbi 400 milionë paund. Grupi e lidh shqyrtimin e alternativave të reja me punën e bërë që atëherë për stabilizimin financiar, investimet dhe hapjen e stadiumit të ri, duke vlerësuar se objektivat e tij fillestare janë përmbushur.
Sipas pronarëve, në momentin e marrjes së kontrollit, pasiguria financiare shoqërohej me probleme sportive dhe organizative. Për këtë arsye, mbështetja financiare dhe përfundimi i stadiumit kishin qenë në qendër të ndërhyrjes së tyre fillestare.
Ndërkohë, vendimet e merkatos verore sollën pakënaqësi mes tifozëve. Evertoni pranoi një ofertë prej 40 milionë paundësh nga Nottingham Forest për Harrison Armstrongun, mesfushor i Anglisë U19, por më pas hoqi dorë nga marrëveshja. Shitja e Betos te Fiorentina ngjalli kundërshtime të tjera: pas largimit të tij, francezi 23-vjeçar Thierno Barry mbeti i vetmi sulmues i mirëfilltë i skuadrës.
Në këtë periudhë u diskutua edhe marrëdhënia mes drejtimit dhe trajnerit. David Moyes deklaroi në shtator se, që nga rikthimi në Everton në janar 2025, nuk kishte pasur as takim dhe as bisedë me Dan Friedkinin.
Friedkin drejton grupin pronar nga Houstoni, ndërsa përgjegjësitë e përditshme në klub i ushtron dhëndri i tij, Rishi Majithia, në bashkëpunim me drejtorin ekzekutiv Angus Kinnear. /BBC
Raporto një pasaktësi