Irlanda e Veriut mposhti Ukrainën 1:0 në Windsor Park falë golit të Terry Devlinit në minutën e 68-të dhe rimori kreun e grupit B2 të Ligës së Kombeve. Skuadrës së Michael O’Neillit do t’i mjaftonte një barazim ndaj Hungarisë, të martën në Budapest, për t’u ngjitur në Ligën A.
Pjesa e parë solli raste në të dyja portat, por jo gol të vlefshëm. Në minutën e 23-të, VAR-i i mohoi epërsinë vendasve për pozicion jashtë loje të Jamie Donleyt. Ai kishte shënuar pasi goditja e Isaac Price ishte devijuar nga Ethan Galbraith.
Donley dhe Shea Charles u ndalën më pas nga Anatoliy Trubin në të njëjtin aksion. Në krahun tjetër, Olexiy Kashchuk pati mundësi ta ndëshkonte skuadrën vendase në kundërsulm, por Pierce Charles priti goditjen e tij.
Pas pushimit, Price provoi pa sukses nga brenda zonës së mbushur me lojtarë. Zgjidhja për vendasit erdhi nga distanca: Trubin devijoi në këndore një goditje të Trai Hume dhe, në aksionin pasues, Galbraith shërbeu për Devlinin. Goditja e këtij të fundit i dha golin e parë me përfaqësuesen dhe vendosi ndeshjen.
Ukraina pati ende një rast për barazim në fund, kur Danylo Sikan goditi nga brenda zonës. Pritja e Pierce Charles bëri që Irlanda e Veriut të regjistronte ndeshjen e pestë radhazi pa pësuar gol, për herë të parë që nga viti 2017. Ajo mbeti e vetmja skuadër e këtij edicioni që nuk kishte pësuar ende.
Hungaria kishte marrë përkohësisht kreun me fitoren 2:0 ndaj Gjeorgjisë më herët, por suksesi në Windsor Park e riktheu Irlandën e Veriut mbi të. Ukraina mbeti jashtë garës për vendin e parë, ndërsa irlandezët veriorë siguruan të paktën pjesëmarrjen në play-off në mars, edhe nëse humbin në Budapest.
Në atë përballje, O’Neill nuk do të jetë në stol dhe Donley nuk do të luajë. Të dy morën kartonë të verdhë në fund të ndeshjes ndaj Ukrainës dhe do të mungojnë për shkak të pezullimit. /BBC
Raporto një pasaktësi