Qazim Laçi nuk do të jetë në dispozicion të Shqipërisë për katër ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, për shkak të një dëmtimi muskulor. Trajneri Rolando Maran ftoi në vend të tij Feta Fetain, duke ndryshuar listën në ditën e nisjes së grumbullimit, më 21 shtator 2026.
Sipas njoftimit të FSHF-së, Laçi u dëmtua gjatë ndeshjes së 20 shtatorit, kur ndjeu dhimbje akute në muskulin fleksor të kofshës. Rezonanca magnetike e kryer mëngjesin pasues evidentoi një dëmtim të shkallës së parë në kofshën e majtë. Mesfushori do ta zhvillojë programin e rehabilitimit pranë klubit të tij.
Për ta zëvendësuar, Maran zgjodhi Fetain, mesfushorin 21-vjeçar nga Shkupi që luan për Lokomotivën e Zagrebit dhe mban shiritin e kapitenit te Shqipëria U21. Ai do t’i bashkohet ekipit për përgatitjet e këtij grumbullimi.
Fetai ka qenë edhe më parë pjesë e përfaqësueses A, pas ftesave të Silvinjos, por ende nuk ka debutuar në fushë. Në tetor të vitit 2024 ishte në stol për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë në Ligën e Kombeve. Këtë sezon ka regjistruar 270 minuta në katër paraqitje me klubin kroat.
Kuqezinjtë zhvilluan edhe seancën e parë stërvitore, por Maran nuk e kishte të plotë grupin për shkak të orareve të udhëtimit të lojtarëve. Disa prej futbollistëve ndoqën një program të diferencuar, për shkak të ngarkesës së marrë në ndeshjet e fundjavës me klubet e tyre.
Nga e marta, trajneri pritet ta ketë në dispozicion të gjithë grupin. Shqipëria do ta nisë edicionin e pestë të Ligës së Kombeve më 26 shtator, kundër Bjellorusisë në stadiumin “Air Albania”.
Deri më 6 tetor, kombëtarja ka në program edhe tri përballje të tjera: ndaj San Marinos dhe Finlandës në transfertë, pastaj sërish kundër San Marinos, këtë herë në shtëpi. /ABC NEWS
Raporto një pasaktësi

