Futbollistët e Republikës së Irlandës do të mblidhen të premten, më 25 shtator, për të diskutuar qëndrimin e tyre ndaj përballjeve me Izraelin, pasi të kenë luajtur kundër Kosovës. Mbrojtësi Dara O’Shea e bëri të ditur këtë plan në prag të ndeshjes në Prishtinë, mes thirrjeve në Irlandë për bojkotimin e takimeve me Izraelin.
Kosova dhe Irlanda përballen të enjten, më 24 shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45, në Ligën e Kombeve. Më pas, irlandezët do të udhëtojnë drejt Debrecenit të Hungarisë, ku të dielën do të zhvillojnë të parën nga dy ndeshjet me Izraelin gjatë këtij grumbullimi.
O’Shea shpjegoi se lojtarët ishin marrë vesh që në fillim të javës për diskutimin e së premtes. Ai theksoi nevojën që secili të flasë hapur dhe që mendimet e të gjithëve të respektohen, duke e cilësuar çështjen si diçka që kërkon kohë dhe nuk mund të anashkalohet.
I pyetur nëse diskutimi do të përfshinte bojkotin, mbrojtësi tha se vendimi për zhvillimin e ndeshjeve ishte marrë nga Federata Irlandeze e Futbollit, UEFA dhe qeveria, jo nga lojtarët. Ai shtoi se futbollistët i përgjigjen ftesës për të përfaqësuar vendin, por do të shprehin bashkërisht atë që ndiejnë dhe e konsiderojnë të drejtë.
Presioni për bojkot ishte shtuar pas një letre të hapur të grupit Irish Sport for Palestine, të nënshkruar nga mbi 160 sportistë irlandezë. Letra i kërkonte federatës të tërhiqej nga ndeshjet për shkak të situatës në Gazë. Të hënën ishte mbajtur edhe një protestë pranë hotelit të kombëtares në Dublin.
O’Shea, i cili do të mbajë shiritin e kapitenit në mungesë të Nathan Collinsit të lënduar, tha se lojtarët ishin përpjekur të kufizonin përdorimin e rrjeteve sociale dhe të qëndronin të bashkuar. Mbrojtësi i Ipswichit e vlerësoi Kosovën si kundërshtare të fortë, që kërkon përqendrimin e plotë të skuadrës.
Edhe trajneri Heimir Hallgrimsson pranoi të mërkurën se deklaratat e tij për Izraelin kishin larguar vëmendjen nga përgatitjet për Kosovën. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e marrë, por tha se, nga pozita e drejtuesit të ekipit, nuk kishte qenë e mençur të bëhej qendra e debatit para kësaj ndeshjeje. /TELEGRAFI
Raporto një pasaktësi

