Federata e Futbollit e Kosovës ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen Kosovë – Austri, që do të zhvillohet më 4 tetor 2026 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Takimi i Ligës së Kombeve është caktuar të nisë në orën 18:00.
Çmimet janë të njëjta me ato të përballjes me Irlandën. Një biletë në tribunat veriore dhe jugore kushton 20 euro, në lindje 30 euro, ndërsa në perëndim 50 euro. Për sektorin VIP, çmimi është 150 euro.
Përpara takimit me Austrinë në Prishtinë, Kosova ka në program tri ndeshje. Fushatën e nis më 24 shtator në shtëpi kundër Irlandës, për të vazhduar me dy përballje në udhëtim: më 27 shtator ndaj Austrisë në Vjenë dhe më 1 tetor kundër Izraelit.
Kosova garon për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ajo është pjesë e Grupit 3 bashkë me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën. Përballja në “Fadil Vokrri” do të jetë ndeshja e katërt e Kosovës në këtë grup.
Austria e ka shpallur listën prej 27 futbollistësh për këtë grumbullim. Sipas Kohës, në të mungon kapiteni David Alaba, i cili pas largimit nga Real Madridi është ende pa skuadër. Marcel Sabitzer ka vendosur të pushojë gjatë këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ndërsa Marko Arnautoviq i ka dhënë fund karrierës ndërkombëtare pas Botërorit 2026.
Selektori Ralf Rangnick ka përfshirë katër emra të rinj: Vasilije Markoviqin, Felix Bacherin, Lukas Jungwirthin dhe Christian Zawieschitzkyn. Ai e ka lidhur përzgjedhjen me gatishmërinë e lojtarëve për ndeshje dhe me përgatitjet afatgjata për Evropianin 2028.
Dy takimet e fundit të Kosovës në grup janë caktuar për nëntor. Më 14 nëntor do ta presë Izraelin, ndërsa më 17 nëntor do të luajë në udhëtim kundër Irlandës. /KOHA
Raporto një pasaktësi

