Rey Manaj ka njoftuar ndërprerjen e kontratës me Sivassporin, duke e lidhur largimin me pagat e papaguara. Sulmuesi shqiptar e bëri publik vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Manajt, gjatë muajve të fundit ai i kishte dhënë klubit disa mundësi për të përmbushur detyrimet. Në njoftimet zyrtare drejtuar Sivassporit, sulmuesi kishte caktuar afate prej 15 ditësh për kryerjen e pagesave.
Ai tha se detyrimet mbetën të pashlyera dhe premtimet nuk u mbajtën, pavarësisht se kishte zgjedhur të priste sërish. Manaj e cilësoi ndërprerjen e bashkëpunimit si një nga vendimet më të vështira të karrierës së tij.
Ky ishte qëndrimi i dytë i sulmuesit te Sivasspori. Ai shpjegoi se ishte rikthyer për ta ndihmuar skuadrën të ngjitej në Superligën turke, por, sipas tij, nuk u krijuan skuadra dhe kushtet e nevojshme për realizimin e këtij objektivi.
Manaj largohet pasi kishte shënuar 10 gola në këtë sezon të Kategorisë së Parë turke. Në mesazhin e lamtumirës, ai falënderoi tifozët për mbështetjen gjatë gjithë qëndrimit dhe theksoi lidhjen e tij me klubin, pavarësisht përfundimit të bashkëpunimit. /TELEGRAFI
Raporto një pasaktësi